Nga konferenca për media e mbajtur nga nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe deputetja Albana Gashi.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë nga forcat ushtarake e paramilitare të Serbisë u zhdukën rreth 5000 qytetarë të Kosovës, e edhe sot pas 12 viteve nuk dihet ende asgjë për fatin e 1800 qytetarëve të pagjetur.


 

Të pagjeturit  nuk kanë qenë asnjëherë prioritet i institucioneve të Kosovës. Ata janë kthyer aq sa ka dashur Serbia, ngase kurrë nuk u është bërë presion nga institucionet e Kosovës për kthimin e tyre.


 

Këmbëngulja e ndërkombëtarëve ka qenë çdoherë që të zhduket karakteri çlirimtar i luftës së UÇK-së, duke bërë përpjekje që luftën ta shëndërrojnë në një konflikt ndëretnik dhe duke bërë që të barazohet lufta çlirimtare me gjenocidin.


 

Ky parim rrjedh prej dokumenteve siç janë: Rezoluta 1244, Pakoja e Ahtisaarit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës e deri tek ligjet që dalin nga kjo Kushtetutë.


 

Rasti konkret është Ligji për të Pagjeturit, ligj ky që është bërë më shumë për ta ruajtur një bilanc të padrejtë politik  sesa për të gjetur të pagjeturit a për të ndihmuar familjet  tyre.


 

Ngjarjet që ndodhën gjatë seancës më 31 gusht 2011 në Kuvendin e Republikës së Kosovës mund të quhen varrosje e demokracisë. Dhe kjo, si për ironi, ndodhi pikërisht në Kuvend, brenda institucionit që do të duhej të ishte shembull i demokracisë dhe ku materializohet demokracia, pikërisht në institucionin i cili duke qenë demokratik i mbikëqyr institucionet tjera ekzekutive të cilat dalin në mënyrë demokratike prej këtij institucioni.


 

Dje u votua për amandamentet e Ligjit për të Pagjeturit të propozuara nga deputetja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albana Gashi.


 

Fillimisht me 39 vota për e 32 kundër, 5 amandamentet e propozuara u miratuan në Kuvend. Por meqë këto amandamente po e cenonin multietnicitetin ahtisaarian të Hashim Thaçit, u mobilizua vetë kryeministri për t’ua ndryshuar vullnetin deputetëve të cilët votuan pro amandamenteve. Pas pushimit dyorësh, kur filloi pjesa e dytë e seancës, deputetja Emilja Rexhepi u shfrytëzua për ta dorëzuar një kërkesë për rishqyrtimin e votimit meqë pretendoi se ajo së bashku me një koleg tjetër deputet kishin votuar gabimisht pro amandameneve në fjalë. Fakti që ajo ka qenë e manipuluar dhe është shfrytëzuar për ta dorëzuar kërkesën e saj formale vetëm sa për ta nxitur rivotimin, tregon votimi i saj i dytë i cili është i njëjtë – pra ajo edhe herën e dytë votoi për amandamentet.  


 

Gjatë kohës së pushimit, me deputetët që kishin votuar për këto amandamente apo që eventualisht kishin abstenuar, kishte ndodhur ajo që ndodhi me të njëjtët gjatë votimit në muajin shkurt për Presidentin e Republikës së Kosovës. Deputetët iu nënshtruan trysnisë për ndryshimin e vullnetit të tyre politik. Ata votuan diçka të kundërt me votën e tyre të lirë.


 

Kjo paraqet shkelje fundamentale të demokracisë. Demokracia është sistem i organizimit politik i cili mbështetet mbi lirinë e zgjedhjes së qytetarëve që mandatojnë përfaqësuesit e tyre, të cilët me vullnetin e tyre plotësisht të lirë, duke u ndjerë përgjegjës vetëm para popullit, dhe duke u udhëhequr nga interesi i shtetit dhe qytetarit, marrin vendime politike. Në Kosovë shumë deputetë janë zgjedhur nga lideri që i ka futur në listë, komisionerët e shkathët dhe paratë e harxhuara për blerjen e votave. Prandaj ata nuk ndjehen përgjegjës para askujt tjetër përveç para udhëheqësit të tyre. Ata i binden udhëheqësit për të marrë vendime edhe kur këto vendime janë kundër qytetarëve. Sepse ekzistenca e tyre politike i detyrohet vetëm e vetëm liderit. Prandaj nuk është e rastësishme që deputetë të tillë e ndërrojnë votën e tyre varësisht shantazhit dhe kërcënimit që ua bën lideri.


 

Deputetët të cilët e ndërruan votën e tyre nga për në kundër pas trysnisë janë 4 të PDK-së, një i LDK-së dhe një nga BSDAK. Nga PDK-ja janë – Fadil Demaku, Fatmir Xhelili, Ramiz Lladroci si dhe Ganimete Musliu; nga LDK-ja Armend Zemaj, kurse nga BSDAK Hamza Balje.  Kurse 14 deputëtë tjerë në votimin e dytë ose nuk erdhën, ose ishin në sallë por nuk votuan. Këta janë 3 deputetë të PDK-së, 5 të LDK-së, 4 të AAK-së, 1 i AKR-së, dhe një nga PREBK. Nga PDK-ja janë: Nait Hasani, Hydajet Hyseni dhe Safete Hadërgjonaj; nga LDK-ja: Hykmete Bajrami, Lutfi Zharku, Afërdita Berisha-Shaqiri, Salih Asllanaj dhe Lirie Kajtazi; nga AAK-ja: Ardian Gjini, Ahmet Isufi, Daut Haradinaj dhe Donika Kada-Bujupi; nga AKR-ja: Muhamet Mustafa si dhe Albert Kinolli nga PREBK.  


 

Ky rivotim është shkelje e votimit të parë edhe për shkak se mund të ketë pasur deputetë të cilët kanë qenë për votimin e parë në sallë që kanë qenë prezent në sallë që të votojnë pikërisht në atë votim të parë ashtu siç votuan, e mandej ose munguan për shkaqe objektive pas pauzës ose u vonuan në fillim të seancës dhe për pasojë votimi i tyre i parë u shpërfill plotësisht.


 

Kjo praktikë antidemokratike duhet ta shqetësojë thellësisht popullin e Kosovës, meqë këtu kemi të bëjmë me një pushtet që legjitimitetin e grabit me kërcënime, klientelizëm e para; i cili autoritetin e tij e shfrytëzon për t’ia rritur vetes fuqinë dhe pasurinë personale; dhe i cili këtë pasuri e fuqi të rritur në mënyrë të paligjshme e shfrytëzon në dëm të interesit të qytetarëve të Kosovës dhe për ta mbytur demokracinë. Këtë gjë e tregoi rivotimi i djeshëm skandaloz i deputetëve të cilët u përkulën para trysnisë së jashtme duke marrë vendime nën kushtet e shtrëngesës dhe për interesa të tjetërkujt.

 

5 Komente

Kur VV ne nje te ardhme jo shume te larget te vije ne pushtet, kemi per te thene per here te pare qe nje force politike Shqiptare ka ardhur ne pushtet.

Për të qesh e për të qarë. Po them vetëm atë që kishte postuar Swedi 1 më duket : "Himara është shqiptare se është, vari k...t" 

 kur do linde edhe ne shqiperi nje ''vetvendosje'' se na mbyten jeniceret

"Vetvendosja" ka lindur, une mezi po pres te shtrije aktivitetin e saj edhe ne RSH. E kam pas gjithmone bindje qe shpetimi Shqiperise do i vij nga Kosova, ata jan me te kthjellet, me te qarte, me te vendosur dhe s'kam dyshim qe me te zgjidhur problemet ne Kosove do i hyne edhe problemeve ne RSH. Ne Rsh mund te lindin vetem levizje pseudopatriotike sepse i gjith vendi eshte ne duart e poliagjenteve dhe atyre qe i terheqin per hundesh nga jashte, nga andej ku nuk honepsin dot emrin Shqiperi apo shqiptar.

me fal, po po te ktheshe ti ne Shqiperi neser, dhe te nisje nje levizje te tille... cfare duhet te mendonin njerezit? je pak i ashper ora. jam i bindur qe kemi patriote. ti je nje prej tyre. smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).