Po sikur drejtësia femër të ish – tha njëri prej nesh,

           s’di se kush,

           që s’di pse s’hesht,

Ah! që s’di pse s’vazhdoi të bështyjë

           fara luledielli në shesh.

 

Na tingëlloi si shprehje shekullore, nxjerrë

           librash, blerë

           nën hije urash, lirë

– Urash të harkëta me llokoçitje ndër këmbë,

           myshk nën gur,

Ku librashitësit ambulantë rrezatojnë të ngathët një nur

           prej vragash në fytyrë

Kur prej buzëve të pafshira,

           me lyrë,

U rrjedh një gjuhë poemash

           me theks rruge –

 

Dhe si qeshëm si cinikë të stazhonuar klishesh –

           vetëm me një cep buze;

Llogaritëm edhe pasojat –

           s’di se kush,

           ah! që s’di pse s’hesht; 

Ngadalësuam edhe hapin –

Rruga ku bridhnim përkrah kotësisë

           na u shfaq befas e vjeshttë:

                                                        rrëpirë e rrëshkitshme

                                             faqes së një kodre tatëpjetë

                                  ku s’mund të ngjitesh dot me hap

                      por vetëm duke pluskuar rrafsh

           si në ëndërr – si mbi një kurm cullak,

Vetëm me një qëllim të thjeshtë:

 

Pushtimi i asaj Kështjelle,

           pushtimi,

                      pushtimi;

Vetëm me një qëllim të thjeshtë:

 

Gjetja e asaj Kupe të Shenjtë fshehur nën qukat vezulluese

           të syprinës së rrjedhshme të ujit;

           ledhatuar përmallshëm nga perëndimi;

Një ditë energjike kur befas rruga na u shfaq e vjeshttë

           buzë një lumi,

           poshtë një ure sërish –

 

Rruga, që po e njëjta ish:

           e mërzitshmja, e përditshmja, e përlodhshmja

Rrugë qëllimesh modeste

           – lista pazari; klasa vjeshte –

Ku veç ndonjë turbullim vërtetë delikat në pije mund të përbënte

           – variacion vërtetë delikat diete –

           event poetik;

Mbuluar me një tis të mjegullt metafore;

Nën qukat vezulluese të syprinës së qetë të kohës fshehur;

Ledhatuar përmallshëm

           nga vetmia e përbashkët:

Rruga, që po e njëjta ish.

4 Komente

 Nuk di te vleresoj letersine ...por me vjen te them kete : Befas , si rrufe , me pelqeu ! 

Faleminderit L K .

 Bukur!

Te lumt Lul . 10 !

shume e bukur...

Mbuluar me një tis të mjegullt metafore;

Nën qukat vezulluese të syprinës së qetë të kohës fshehur;

Ledhatuar përmallshëm

           nga vetmia e përbashkët:

Rruga, që po e njëjta ish.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).