Nga Albert Doja

Në një nga këto ditët më të nxehta të këtij fundgushti 2011 m’u desh të ndërprisja pushimet, sepse më duhej të ri-jepja për të tretën herë provimin teorik për marrjen e patentës për drejtim automjeti. Kësaj radhe, tek kthehesha me xhamat hapur të makinës thuajse të shkatërruar të instruktorit, e cila rropatej me rrapëllima të voziste mes ndotjes mbytëse të autostradës dhe diellit përvëlues të gushtit, isha vërtet i lehtësuar, sepse të paktën kisha mësuar se mund të jesh kërkues shkencor me titujt dhe gradat më të larta në hierarkinë akademike dhe përsëri të mos jesh në gjendje të kalosh menjëherë provimin e patentës. Megjithatë, pavarësisht makinës së tij të vjetër, nuk ka dyshim se isha në duart e instruktorit më të mirë që mund të gjendet në Tiranë. Vallë, a ka në Tiranë ndonjë instruktor që nuk do të ishte më i miri në fushën e tij? Shumëkush e di mirë se askush nuk ka nevojë për filozofi të madhe apo për shkenca komunikimi për të qenë mjeshtër i komunikimit, kur është fjala për të treguar veçoritë e papara të kanistrës së vet.

Pas shumë e shumë argumentesh që përpiqeshin të provonin shkencërisht vërtetësinë e të thënave e të bëmave, më e bukura ishte kur mësova dobinë shkencore të një makine të vjetër, me xhama që nuk mbyllen dhe pa kondicioner, pikërisht në këtë ditë të nxehtë, mes ndotjes mbytëse të autostradës dhe diellit përvëlues të gushtit. Pa kondicioner në makinë trupi ambientohet me vapën dhe nuk pëson çrregullime klimatike, ndërsa kur prishet makina e vjetër mund ta rregullosh shumë shpejt vetë ose ta çosh te bakalli i mëhallës, ndryshe nga një makinë e re e cila të detyron të rendësh pas serviseve të specializuara që nuk bëjnë gjë tjetër veçse të rrjepin me kompjuter. Nuk ke ç’të thuash! E shumta, siç ndodh rëndom edhe në raste të tjera të ngjashme, përpara argumentesh të tilla mund të shkosh ndër mend përrallën e Ezopit mbi rrushtë që dhelpra kur s’mundi dot t’i zërë tha se janë të pabërë.

Megjithatë, në nivelin e tij, kjo nuk i bën përfundimet e instruktorit tim më pak “shkencërisht” bindëse. Në nivelin e tij, çdo përfundim është vërtetuar nga një përvojë e gjatë kërkimesh që nuk janë më pak shkencore se të tjerët, sepse edhe këtu kemi të bëjmë me vëzhgime e analiza metodike dhe sistematike.

Me fjalë të tjera, problemi qëndron te niveli nga i cili nisemi për të vlerësuar dhe dalluar kërkimin shkencor nga pretendimet pseudo-shkencore. Teoritë, metodat, argumentet, analizat dhe përfundimet shkencore gjykohen vetëm në kuadër të një komuniteti shkencor të përcaktuar dhe mund të vlerësohen vetëm me kriteret dhe standardet shkencore që janë përpunuar në kuadër të këtij komuniteti shkencor, që nuk përbëhet domosdoshmërish nga agjenci vlerësuese por nga ekspertë të fushës përkatëse dhe që për nga natyra e vet nuk mund të jetë thjesht kombëtar por detyrimisht ndërkombëtar. Në këtë kuptim, nëse në Shqipëri mungon kërkimi shkencor, kjo vjen për aq sa mungojnë, jo lidhjet, por marrëdhëniet reciproke me komunitetin shkencor ndërkombëtar. Të bësh pjesë në komunitetin shkencor ndërkombëtar nuk do të thotë që të kesh mundësinë thjesht për të pasur lidhje e kontakte me studiuesit e huaj, të takohesh me ta për kafe midis konferencave ndërkombëtare, të shoqërohesh me ta dhe t’ua bësh apo të ta bëjnë qejfin. As nuk do të thotë të bësh pjesë në komunitetin shkencor ndërkombëtar thjesht duke shëtitur apo duke bërë pushime nëpër institucione të huaja shkencore, nëse nuk mund të kesh përfituar asnjë kredi shkencore prej tyre.

Të bësh pjesë në komunitetin shkencor ndërkombëtar do të thotë të kesh mundësinë të hysh në dialog me këtë komunitet, pra të kesh dalë nga izolimi intelektual që e ka karakterizuar dhe që për fat të keq vazhdon të karakterizojë të ashtuquajturin kërkim shkencor në Shqipëri. Në këtë kuptim, kërkimi shkencor i sotshëm, sado i përparuar që të na duket, nuk mund të jetë kërkim shkencor në kuptimin më të thjeshtë të fjalës, nëse vazhdon të qëndrojë i izoluar, nëse nuk bën pjesë në këtë komunitet ndërkombëtar, ku studiuesi shqiptar të konsiderohet i barabartë me gjithë të tjerët dhe të hyjë në dialog, të polemizojë, të vlerësohet dhe të vlerësojë studiuesit e tjerë të kësaj bashkësie, madje edhe për tema në dukje të vogla që duket sikur na interesojnë vetëm ne si komb shqiptar. Nisur nga të dhënat shqiptare, për shembull, studiuesit i duhet të qëndrojë jashtë paragjykimeve, ta zgjerojë sa më shumë bazën krahasuese, dhe t’ia nënshtrojë këto të dhëna një analize interpretuese e cila të bëhet e vlefshme për t’u përdorur edhe gjetiu nga studiues të tjerë, për probleme të ngjashme, në shoqëri dhe kultura të tjera. Vetëm kështu studiuesi mund të trajtojë edhe tema të rëndësishme, qofshin specifike apo më të përgjithshme, që interesojnë dhe preokupojnë kërkimin shkencor në mbarë komunitetin shkencor ndërkombëtar.

Nëse mund të thuhet se brenda dy dekadash arsimi universitar shqiptar ia ka mbërritur që në plan të përgjithshëm të rinovojë pothuajse të gjithë bazën kuptimore të mësimdhënies, kjo ka ndihmuar vetëm ata studentë të përparuar e të etur për dije që kanë përfituar më shumë nga nxënia e tyre e përgjithshme sesa nga mësimdhëniet e veçanta të profesorëve të tyre. As këtu nuk është fjala për të bërë bilancin e prapambetjes së kërkimit shkencor që kërkon përsëri përmasa të tjera pune, sidomos në shkencat sociale si sociologjia, antropologjia, shkenca ekonomike, shkenca politike dhe analiza e marrëdhënieve ndërkombëtare, që në shumicën e rasteve duket se janë akoma vepër diletantësh, në mos analfabetë e matrapazë të fushave përkatëse, apo edhe në disiplinat letrare-filologjike (humanities, që gabimisht i quajnë shkenca humanitare) si filozofia, drejtësia, historia dhe përsiatjet e tjera mbi gjuhën, letërsinë, artin e kulturën, që çuditërisht duket sikur kanë mbetur të gozhduara në metodat dhe problematikat e trashëguara nga shekulli i nëntëmbëdhjetë.

Pa dyshim, sot ka edhe studiues të talentuar, të rinj e më pak të rinj, që kanë një formim të shëndoshë në disiplinat e tyre shkencore, që po zhvillojnë seriozisht kërkimin shkencor në Shqipëri dhe që po fitojnë ose tashmë kanë fituar përvojën e duhur për të kontribuar me sukses në komunitetet shkencore ndërkombëtare përkatëse. Këtij grupi po i shtohen çdo vit e më shumë edhe studentët tanë më të mirë, që në ndonjë rast mund edhe të na habisin me mprehtësinë e tyre shkencore. Madje, ndodh jo rrallë që ndonjëri prej këtij grupi të përshëndetet me admirim edhe prej të tjerëve. Pa çka se kjo ndodh si rregull vetëm për gjëra shumë, madje shumë të thjeshta, që kush di sadopak shkrim e këndim shkencor do t’i konsideronte të nivelit të abetares së çdo fushe shkencore. Ndoshta prandaj edhe studiuesit e talentuar e ndiejnë veten gjithnjë e më të frustruar e të izoluar. Kur është fjala për probleme të rëndësishme shkencore, si ato që diskutohen në seminare e konferenca shkencore, madje edhe në komisionet akademike të mbrojtjes së temave të studentëve të përparuar, të duket sikur flet me muret. Askush nuk reagon. Vlerësimi më i mirë është heshtja. A thua se gjithsecili të kishte frikë se do zbulohej lakuriq! Le të mos flasim pastaj për artikujt shkencorë të botuar në revistat e specializuara ndërkombëtare me impakt ndikimi të mirënjohur në komunitetin shkencor sipas fushave përkatëse. Këto as që nuk pasqyrohen në raportet vjetore zyrtare të agjencive shkencore, siç ka ndodhur p.sh. me raportin e fundit mbi aktivitetet e vitit 2010 të Akademisë së Shkencave, ku nuk mund të gjesh asnjë, për be, asnjë artikull shkencor origjinal, të paktën nga fushat e të ashtuquajturave shkenca shoqërore dhe albanologjike. Me sa duket është më mirë kështu. Kush prish rreshtin duhet mënjanuar. Kështu të gjithë do jenë njëlloj dhe të gjithë do jenë të kënaqur me atë që vetë e quajnë dhe vetë e vlerësojnë si punë shkencore.

Për fat të keq, me sa duket në Shqipëri kriteret dhe standardet e vlerësimit të punës shkencore nuk përpunohen nga nuk e di cili komunitet shkencor, por nga llomotitjet që mbushin gazetat e përditshme apo emisionet televizive. Që llomotitje të tilla të bëhen edhe më bindëse mjafton që protagonistët të kenë treguar se kanë ndonjë lidhje me institucione të huaja shkencore, pa çka se në shumicën e rasteve mund të mos kenë lënë asnjë gjurmë as përfituar kredi prej tyre, po të përjashtojmë ndonjë rast politikash botimi apo bashkëpunimi, që si rregull nuk vjen asnjëherë prej institucionesh të mirënjohura për seriozitetin dhe rigorozitetin shkencor. Prandaj, nëse sipas Rousseau prona private është shpikur pasi dikush rrethoi një ngastër toke duke e deklaruar të tijën dhe gjeti aq budallenj sa ta besonin këtë fakt, kërkimi shkencor në Shqipëri shpiket sa herë që sharlatanët pseudo-shkencëtarë e shesin sapunin për djathë dhe gjejnë aq agjenci të biznesit politik, ekonomik e mediatik për ta certifikuar këtë fakt. Të jeni të sigurt se të gjithë e besojnë, sepse kështu të gjithëve u duket vetja sadopak më shumë shkencëtarë, sidomos kur është fjala për përkthyes apo redaktorë autorësh të shquar, kompilatorë tekstesh shkollore apo repetitorë përpara auditorësh të zhurmshëm a të përgjumur nga mërzia. Ashtu si gënjeshtari i famshëm që filloi të besonte edhe gënjeshtrat e veta, një mëngjes të bukur e të nxehtë të këtij gushti 2011 edhe ata u zgjuan papritmas më shkencëtarë se kurrë, aq sa t’u duket vetja se janë po aq të mençur sa edhe autorët që ata përkthejnë, kopjojnë apo recitojnë.

Ç’është më e keqja, me sa duket tradita komuniste e promovimit të vlerave shkencore me deklarata ideologjike nga agjencitë partiake nuk paska mbaruar. Mjafton të deklarosh në tv-show dhe gazeta se çfarë është dhe çfarë nuk është kërkim shkencor apo të japësh opinione dhe këshillime pa lidhje për çdo gjë e për këdo dhe mund ta konsiderosh veten pa frikë se ke bërë kërkim shkencor të mirëfilltë apo je bërë shkencëtar i mirëfilltë, madje nuk ke më nevojë as për botime shkencore në revista të specializuara, meqë as këto nuk u dashkan konsideruar si vlerësues të punës shkencore. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë, pa dyshim, kemi ngatërruar kërkimin shkencor me komunikimin e kërkimit shkencor sipas logjikës konsumeriste të medias që kritikonte Bourdieu. Ndërkohë, edhe njëherë profetët e rremë, dikur të fryrë nga nomenklatura komuniste, sot duke uzurpuar dhe manipuluar agjencitë dhe opinionet e korruptuara, u lartësuan përsëri mbi sytë e hirosur të shoqërisë shqiptare, që shkel pastaj me këmbë çdo përpjekje tjetër të pa korruptuar. Ç’të bësh? Me sa duket nuk na mbetet gjë tjetër veçse të krenohemi përsëri se edhe këtë herë Shqipëria do të jetë si dikur i njëjti fanar ndriçues për kërkimin shkencor në botë.

4 Komente

Të bësh pjesë në komunitetin shkencor ndërkombëtar (lexosmileyiç bej pjese unenuk do të thotë që të kesh mundësinë thjesht për të pasur lidhje e kontakte me studiuesit e huaj, të takohesh me ta për kafe midis konferencave ndërkombëtare, të shoqërohesh me ta dhe t’ua bësh apo të ta bëjnë qejfin. As nuk do të thotë të bësh pjesë në komunitetin shkencor ndërkombëtar thjesht duke shëtitur apo duke bërë pushime nëpër institucione të huaja shkencore, nëse nuk mund të kesh përfituar asnjë kredi shkencore prej tyre (lexo: siç kam perfituar une).

Të bësh pjesë në komunitetin shkencor ndërkombëtar do të thotë të kesh mundësinë të hysh në dialog me këtë komunitet (lexo prape: siç kam hyre une), pra të kesh dalë nga izolimi intelektual që e ka karakterizuar dhe që për fat të keq vazhdon të karakterizojë të ashtuquajturin kërkim shkencor në Shqipëri.

 

"-- E di ti ç'do te thote te qellosh mbi nje perandor?

-- Te qellosh mbi nje perandor, do te thote... te qellosh mbi nje perandor"

Zoti e di si e ka ruajtur penen Doja per te shtur ate qe mezi po ia mban shpirti: he pra, do habiteni pak me keto arritjet e mia apo jo? Cfare doni me mor'vlla? Doktorature ne France po, mesimdhenie po, artikuj te botuar andej-ketej po, nje leter qe ma ka derguar vete Lévi-Strauss po; plus jam dhe ne Akademine e Shkencave! Po çfare ka Artan Fuga me shume se une xhanem? Atehere pse nuk habiteni me mua? Pse nuk jam dhe une aq i njohur? Ja, po bej dhe artikull si Artan Fuga; po e nis me nje anekdote autoshkolle per te arritur te kerkimi shkencor (gje per te cilen A. Fuga dhe F. Tarifa kane diskutuar ne shtyp keto kohe), paçka se anekdota me sherben edhe per te thene pak, me modesti, se kush jam, se me ke keni te beni : 

"isha vërtet i lehtësuar, sepse të paktën kisha mësuar se mund të jesh kërkues shkencor me titujt dhe gradat më të larta në hierarkinë akademike dhe përsëri të mos jesh në gjendje të kalosh menjëherë provimin e patentës." 

 

Doni me per kerkimin shkencor?

S'e paske lexuar deri ne fund. Ne fakt edhe mua po me cingeriste nervat deri kur arriti ne kete pike qe po citoj, ku dhe desh theva ekranin nga inati:

"Teoritë, metodat, argumentet, analizat dhe përfundimet shkencore gjykohen vetëm në kuadër të një komuniteti shkencor të përcaktuar dhe mund të vlerësohen vetëm me kriteret dhe standardet shkencore që janë përpunuar në kuadër të këtij komuniteti shkencor, që nuk përbëhet domosdoshmërish nga agjenci vlerësuese por nga ekspertë të fushës përkatëse dhe që për nga natyra e vet nuk mund të jetë thjesht kombëtar por detyrimisht ndërkombëtar."

Bold thesis, i thone kendej, ku bien ne sy dy pjese: ekspertet e fushes perballe agjencise vleresuese, dhe natyra nderkombetare perballe natyres kombetare te komunitetit shkencor. Pa u marre shume me pjesen e pare, duket se ne kuadrin e nje kritike mediatike e ka vertetuar. Them ne kuadrin e nje kritike mediatike, sepse ne kuadrin shkencor duket sikur nuk e ka marre parasysh fare faktin se disa fusha jane zgjeruar dhe thelluar aq shume, sa qe nuk ka me eksperte fushe, por vetem specialiste te nje problemi te caktuar te fushes, deri ne ate mase sa qe mund te kete vetem nje specialist per nje problem te caktuar, dhe cdo arritje, cdo zhvillim ne fushe, ne mungese ekspertize, realizohet nepermjet nje kompleksi bashkepunimi dhe besimi tek morali dhe integriteti shkencor i specialistit tjeter. Pra agjencia vleresuese (besimi tek morali i tjetrit) mbetet njefarelloj, pavaresisht se kjo agjenci vleresuese nuk eshte pjesmarrja ne nje parti politike. Komuniteti shkencor nuk eshte i perbere thjesht nga eksperte te ftohte si makina llogaritese, por nga njerez me intergritet dhe moral shkencor, pra nga agjenci vleresuese. Ndersa sa per pjesen e dyte, terminologjia e perzgjedhur, komunitet shkencor nderkombetar perballe komunitet shkencor kombetar, nuk me duket fare e argumentuar. Nuk e ve ne dyshim qe te tilla jane prioritetet e nje komuniteti shkencor, por kjo nuk mund te merret ideologjikisht si me lart, por kerkon nje lloj argumenti, qe per fat te keq, ne kete tirade, mungon.  

isha vërtet i lehtësuar, sepse të paktën kisha mësuar se mund të jesh kërkues shkencor me titujt dhe gradat më të larta në hierarkinë akademike dhe përsëri të mos jesh në gjendje të kalosh menjëherë provimin e patentës.

smiley

Ke presin keta tani qe te ndertoje kerkimin shkencor qe ta kene gati pastaj?

smiley

+1

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).