Azem Hajdari ishte i gatshëm t’i hidhte litarin në fyt çdo monumenti të ngritur për nder të një diktatori. Njerëzve që kishin robëruar popullin e tyre, apo edhe të tjerë që bënin pjesë në famëkeqin komunizëm. Ndërsa tani si për ironi Azem Hajdarin e kanë lënë të “bashkëjetojë” me Stalinin në një ambient të përbashkët. Ai që është cilësuar si heroi i demokracisë, tashmë i derdhur në bonz duket sikur përshëndetet nga “heroi” i diktaturës për karakteristikë njërën dorë e ka të ngritur. Jemi në “Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit” në Tiranë.  Aty ku koha ka ngrirë… e ka mbetur në vend edhe për më të riun e derdhur në bronz. Ende nuk është gjetur një vend për të dhe për aq kohë sa monumenti i Hajdarit qëndron nën vështrimin e “egër” të Stalinit, të vetmit që sjellin “paqen” janë disa pëllumba që nuk ndajnë dot se kush është diktatori dhe kush njeriu i idealeve demokrate. Në këtë ambient janë krijuar me mijëra buste heronjsh të popullit, me qindra vepra arti të vendosura në çdo cep të Shqipërisë dhe jashtë saj. Sot kjo fonderi është drejtë shkatërrimit…

Këtu ngrihet shtatlartë Stalini, ku kokën e tij e përdorin si shesh-pushimi dhjetëra pëllumba, të cilët kanë lënë gjurmët e tyre e ndërsa nga krahu tjetër Hajdari, të cilin Vladimir Metani e lan çdo ditë. Në atë  hapësirë gjithë pluhur, i vetmi që “mbahet’ është Azemi e kjo falë këtij specialisti të derdhjeve artistike…”. Endet në atë galeri duke krijuar mrekullinë e radhës edhe kur nuk ka porosi nga ministria e kulturës për realizim bustesh, ai gjithmonë gjen diçka për të krijuar. Metani, sapo ka mbushur 60 vjeç dhe ka ende atë shpirtin rebel të të riut… Në diktaturë e penalizonin shpesh pasi kishte flokët e gjata. Është po me ata flokë, por me më të thinjura. Mban veshur pantallona xhins dhe një rrip të trashë në mes. Është bërë personazh i  disa dokumentareve e filmave, mes tyre dhe “Tirana viti zero”. Eh sa shumë gjera ka për të thënë ky burrë që ka derdhur buste që nga kompleksi skulpturor i Pavarësisë 1912 në Vlorë, e deri tek më i fundit që është një nga presidentët e Amerikës, Willsoni e që gjendet i shtirë në atë fonderi pasi ka mbetur për t’u vendosur vetëm dora!

Ishte 20 vjeç në vitin 1971 kur ka filluar punë si fonditor, e tani është i vetmi që hap derën çdo mëngjes, edhe kur nuk ka asgjë për të punuar, por e ka gjithmonë diçka që tashmë i është kthyer në zakon; lan Azem Hajdarin, nuk lejon që mbi bustin e tij pëllumbat të lënë jashtëqitjet e tyre e po të hedhësh sytë nga krahu tjetër busti Stalinit është kthyer në “banjë” për këta zogj.

Kjo fonderi pas viteve 90’ është kthyer në një “burg’ për statujat e bustet e diktatorit Hoxha dhe të gjithë atyre që janë quajtur të tillë. Shumica e tyre janë shkrirë për t’i dhënë formë të tjera ngrehinave, një pjesë tjetër janë shkatërruar. Ajo që ka mbetur nga Hoxha në atë ambient është vetëm një gjysmë busti i bërë me gur dhe ai është i dëmtuar, nuk e ka hundën. Kanë qenë duart e 40 fonditorëve që kanë punuar ndër vite në atë institucion e kanë krijuar veprat të tilla, për këtë arsye Metani mbron idenë ato duhet të ruhen, por kur vjen puna, urdhrat janë urdhra dhe duhet zbatuar. Drejtori ka gjithmonë të drejtë…

E ndërsa bisedojmë me zotin Metani mes atij ambienti ku veç busteve na shoqërojnë edhe pëllumbat, ai gjen kohën të ushqejë ata. Teksa i thërret për ushqim, kujton me nostalgji kohën kur ka filluar punë dhe ndjen keqardhje që kjo fonderi po shkatërrohet. “Unë jam një fonditor që më kanë hequr lopatën, më kanë hequr shkrirjen, penelin, më kanë hequr daltën dhe nuk kam gjë tjetër për të thënë veç se:  “Fali zot se nuk dinë se çfarë bëjnë!”.

Por kjo nuk është e vetmja herë që ky ambient është venë nën “shënjestër”, hera e parë ishte para se të ndodhte Gërdeci. Në atë kohë punëtorëve i kanë dërguar një letër që të largohen nga ato ambiente pasi një nga personazhet famë keq të asaj tragjedie do të merrte tagrin e pronarit. “Fatkeqësisht dhe fatmirësisht ndodhi ajo që ndodhi dhe ne jemi ende këtu” shprehet Ladi.  Mirë apo keq, diktator apo jo Metani e ka një shprehje: “Po të mos ishin bërë monumentet e këtyre zotërinjve, kurrë s’do të kisha realizuar punët e mia…”-  thotë duke goditur me shputën e dorës cepin e palltos të Stalinit. Në atë momente tremben pëllumbat… Jashtë asaj ndërtese na presin një tufë patash të romëve që banojnë aty përreth, e pak më tutje gjendet stalla e gomerëve. Ja kjo është…”Qendra e Realizimit të Veprave të Arit”.

 

 

Vladimir Metani, ka filluar të punojë në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit në moshën 20 vjeçare. Sot ai është 60 dhe pas 5 vitesh del në pension. Ka pasur 40 vite punë intensive dhe dita- ditës ka frikën e humbjes së saj.

 

Z. Vladimir, cili është busti që ke derdhur më me shumë qejf?

Me thënë të drejtën jo për t’i bërë qejfin vetës dhe nuk e gjykoj nga ana politike, por  kam bërë këtë djalë, (Azem Hajdarin), që i doli përpara Ramiz Alisë kur të gjithë kishin lepurin në bark. As nuk e kam njohur dhe as nuk kam rënë ndonjëherë në kontakt me atë njëri, por di që e laj ditë për ditë…. Unë jam punëtor që përdor lopatën e përfundoj të peneli, të gjitha për mua kanë qenë vepra arti.

 

Sa punë keni realizuar deri më tani?

Bustet dhe monumentet nuk i kam bërë vetëm unë, kjo fonderi ka qenë me 40 punëtorë. Pra është djersa e 40 fonditorëve. Nuk numërohen, kemi bërë gjithë monumentet e Shqipërisë. Kemi bërë “Pavarësinë” kur isha 20 vjeç, punonim më shpirt. Atëherë kam qenë me flokë të gjata dhe shpesh herë me penalizonin.

 

Monumenti më i vështirë?

Monumentet e mëdha janë më të lehta për t’u bërë, se sa ato të imtat. Sa më i vogël të jetë, sa më hyrje dalje aq më i vështirë është. Nuk mund të veçoj një, por ato me përmasa të vogla. Ky ambient pune është djepi ku u rrita, dua të vdes këtu, dikush mund të qeshi dhe nuk e kupton dot shpirtin e një artisti. Me vjen keq që një nga fonderitë më të mëdha në Ballkan po prishet. Kjo fonderi ka prodhuar me mijëra buste. Sot unë nuk kam më dhëmbë nga squfuri. E pra, e dua këtë punë!

 

Azem Hajdari 6 vjet pa vend

Këtu e gjashtë vjet më parë kanë urdhëruar që heroit të demokracisë t’i realizojnë një bust. Janë përpjekur me mish e shpirt mjeshtrit e realizimit të busteve në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit në kryeqytet. Ngritja e monumentit zgjati 3 muaj. Sot atë nuk e sheh askush veç punonjësit të kësaj fonderie Vladimir Metanit, pëllumbave që ai rrit dhe patave të romëve që futen herë pas herë ne galeri.

 

Asgjë nuk humbet…

Kur bëhet fjala për materialet e busteve asgjë nuk humbet, gjithçka transformohet nga një formë, në një formë tjetër. Për material të parë skulptorët përdorin bustet e dikurshme komuniste; kryesisht “klasikët” e fundit Lenin dhe Stalin, dhe padyshim të ashtuquajturin diktator Enver Hoxha. Me një këmbëngulje të admirueshme Metani copëton nga këto masa gjigante ngadalë e pandërprerë. I merr atyre bronzin dhe i jep këtyre copave të atomizuara një jetë të re. Duke shpërderdhur njëra pas tjetrës okët e bronzit të ri-formuar e duke e zbritur atë në tokë, ai pa kuptuar demistifikon edhe imazhin si kult.

 

Veprat e kujt…?

‘Qendra e Realizimit të Veprave të Artit’ është konsideruar si më e madhja në Ballkan. Sot ajo nuk është më e tillë. Mjetet janë ndryshkur e materialet kanë zënë pluhur. Në fillimet e veta kjo qendër ka pasur 40 punonjës ndërsa tani ka vetëm 5. Është një zonë e lakmuar për ndërtuesit aq sa nuk është çudi që në një të ardhme të afërt të mos ekzistojë më. Ajo gjendet pranë qytetit të nxënësve në krahun tjetër të “Lanës”.   

6 Komente

Fort mire ja paskan gjetur vendin Azemit te vetet.

azemi pe betoni, berisha pe verteti

 

Ne cfaredo menyre qe te jete Azemi e do nje bust. Erdhi dhe iku ne kohe Historike dhe ishte ne krye te te marreve .Po sot paska ardhe nga Metani ne forme tjeter , po prap me bronxe dhe me e plotsuar ne figuracione ...me buste te dhjera nga glaset e pullumbave .

Por bustin me te madh e me pompoz e do TV Publik i Saliut ( mundesisht prej Bromxi dhe qe te mbaje sa me shume Pellumba ) , kur jepte lajmin ne vitin ' 93 me pamje filmike nen cicerimat e V.Vokshit se

"Intelektualet shqiptare te mbledhur ne nje nga sallat e PD ..ndigjuan me vemendje fjalen e z.Azem Hajdari per Demokracine "... dhe me e bukura e te bukurave , me e paharruara e te paharruarave ishte se ne pamje filmike ne balle te pare , jepeshin intelektuale te cquar si Ristani ,  villa - carshova , Kosvrasti .... e  hunj te tjere ne TUFE ( Solidarnosti nuk me kujtohet ndersa Lefkofeja qe e vogel ) qe mbanin shenime "me laps ne dore " porosite e vyera per ndertimin e Demokracise ! Sot jane nga me aktivet te brumosur me mesime te tilla ! Mos harrojme se fjalime per intelekruale mba edhe Ham - Hymsi Sali dhe Jozef-percka !

Sidoqofte Azemi ndjese paste dhe u kujtofte per te mirat ! Familjen dhe femijet dhe shume e shume miq i la te PASUR !

 Si fiozofi anarshin kishte te tijen.Ku ishte Azemi ishte zjari shkaterimi dhe rremeti.Gjynah se vdiq i ri po me vdekjen e tij shpetoj vete,familja e tij dhe Shqiperia.Boll kemi Saliun.

".... Vladimir Metani, ka filluar të punojë në Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit në moshën 20 vjeçare. Sot ai është 60 dhe pas 5 vitesh del në pension. Ka pasur 40 vite punë intensive dhe dita- ditës ka frikën e humbjes së saj... "

 Ata qe punojne ne fonderi, kane te drejte te dalin ne pension me heret, jo 65 vjeç, saç e kane bere tani per sektoret e tjera. Dikur fonderia e ka patur 50-51 vjeç te dilte ne pension, ndersa sot me duket se eshte aty tek 58 vjeç, keshtu qe me gjyq, ky Metani del ne pension, dhe te plote biles.

Ajo qe po ve re une ketu ne Europe eshte se, megjithse te gjitha qeverite e kane rritur moshen e pensionit, nga 58-61 ne 65 vjeç, apo per sektoret e renda nga 51 ne 57-58 vjeç, shum punonjes po dalin ne pension me ligjin e vjeter. Kur i pyes se si ka mundesi, thone se ligji apo urdheresa ka dale nga qeveria, por s'eshte aprovuar akoma ne parlament. Kesaj i thone, kush ta haje ta haje, ai qe eshte i zgjuar, bazohet tek ato qe aprovohen nga parlamenti dhe jo nga ato qe thote qeveria  çdo ore e minute.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).