Revista KLAN

“Trazovaçët” e Rinisë Aktive. Një organizatë rinore që synon të kandidojë në zgjedhjet e 2013-ës. Përpjekjet e një grupi të rinjsh për të qenë aktivë dhe dëshira për të ndryshuar diçka. Që fillon me idenë e një teorie të re 

Teksa ora shënon 9:10 e mëngjesit, më duhet të pres ca minuta në një kafene në “Rrugën e Durrësit” përpara se përballë meje të ulet një djalosh tek të njëzetat. I veshur mirë, me këmishë e pantallona serioze, mban në duar një çantë të zezë që ia “rrit” automatikisht moshën me tre-katër vite, afrohet dhe përshëndet shpejt e shpejt. Pastaj nis e shpjegon atë vonesë të vogël: “Po shtojmë zyrat, m’u desh të shihja ambientet e reja”. E mirëkuptoj! Pas pak kërkon sërish ndjesë dhe formon aty për aty një mesazh në celular: për të vijuar bisedën tonë i duhet të anullojë një mbledhje të paracaktuar në orën 10. Dhe pasi porosit një kafe dhe kruasan, shenjë se nuk ka pasur kohë të hajë mëngjes, Dritani është më në fund i gatshëm të flasë. “Sot është një nga ato ditët kur ke shumë punë dhe nuk di nga t’ia fillosh”, qesh ai. “Për pushime as që bëhet fjalë. Ato tre ditë që kisha planifikuar i bëra në rajonin e policisë”. Sikletin e arrestimit të ca ditëve më parë duket se e ka kaluar, por asgjë nuk ia shkul nga mendja se të njëjtin veprim do ta bënte sërish. Ngjarjen ku ai së bashku me tre të rinj të tjerë u arrestua nga policia sepse gjatë natës kishin ngjitur disa postera, në të cilët shkruhej se “kryeministri Sali Berisha, anëtar i Partisë Komuniste dhe shok anti-kombëtar, vdiq dhe autorët e kësaj vrasje ishin banorët e Gërdecit dhe minatorët e Bulqizës”, djaloshi 23-vjeçar e quan të papranueshme. Po kaq absurde i duket edhe gjoba prej 5 milionë lekësh të vjetra që iu faturua në të njëjtën kohë organizatës nga organet tatimore, por që për të është një formë presioni ndaj ngjarjes me posterat dhe policinë.

Ai aksion, pas të cilit media i krahasoi djemtë me jetimët e filmit “Lulëkuqet mbi mure”, ishte pjesë e një fushate të forumit Rinia Aktive, një organizatë rinore e krijuar në vitin 2008, e cila numëron sot mbi tetëdhjetë mijë anëtarë të moshës mbi 15 vjeç. Po, po, kjo është shifra për të cilën pyesim edhe një here. “Ato postera u krijuan me humor, por përmbanin diçka të vërtetë. Kryeministri ka vdekur sepse ai s’po bën asgjë për Shqipërinë”, shton Dritan Broka, kryetar i Kuvendit Civil, organi më i lartë i organizatës, e cila prej pak kohësh ka futur një frymë rebele në jetën e përditshme të të rinjve, duke marrë pjesë e organizuar protesta dhe tubime të ndryshme në kundërshtim me vendime të caktuara të qeverisë. “Jam me fat që atë natë u gjenda me shokët, sepse kur e provon mbi supet e tua padrejtësinë atëherë e kupton se ç’do të thotë të jetosh në një vend demokratik si ky i yni”, ngulmon ai në të tijën, duke formuar me duar gjestin e thonjëzave kur shqipton fjalën “demokraci”. Gjeste pakënaqësie që reflektohen çdo ditë në aktivitetet e grupimit rinor, të cilët tani duan të tregojnë se kanë synime më të mëdha se sa ajo e ngjitjes së posterave nëpër mure.

Kur së bashku me 5-6 miq të tjerë do të mblidheshin në auditoret e Universitetit Europian të Tiranës, tre vjet më parë, Dritani, asokohe 20 vjeçar, nuk mendonte se sot do të gjendej në krye të një organizate rinore me një anëtarësi të tillë dhe me bindjen për t’i hyrë politikës. E para ishte ideja, e cila nuk ndryshonte shumë nga ato dëshirat rinore për të qenë protagonistë, por që më pas mori formë e u kristalizua në një projekt aktiv rinor, në përbërjen e të cilit u pajtuan mosha të ndryshme në përpjekje për të ngritur zërin ndaj disa fenomeneve të shoqërisë. “Nëse nuk do isha i ri, pa pasur atë që quhet ‘vrull rinor’, ndoshta s’do t’i kisha hyrë fare kësaj rruge”, ndërhyn Dritani. Ndonëse takimet e para që vendosën fatin e organizatës u zhvilluan në periudhën tetor-nëntor 2008, vetëm në prill të 2009-ës forumi Rinia Aktive (ky ishte emri fillestar) mori formë zyrtare. Në kaq pak muaj organizata arriti të krijojë një anëtarësi bazë të sajën, me pjesëtarë nga e gjithë Shqipëria, pjesa më e madhe nga Tirana. Ishin nga ato ditë kur grupi hynte në zyrë (dy dhoma të vogla, ku mblidheshin të gjithë) në orën 7 të mëngjesit e dilnin në 3 të mëngjesit tjetër. Një nga aktivitetet e para ishte mbështetja ndaj komunitetit rom, kur të rinjtë u angazhuan të kalonin një ditë me ta, t’i ndihmonin me veshje e ushqime, ashtu si edhe me jetimët. Ajo çka grupi donte që në fillim ishte lënia e një përshtypjeje ndryshe, të tregonin se ishin shumë në numër dhe pa lidhje politike, pra se nuk ngjanin me organizata të tjera rinore që në përbërjen e tyre nuk kishin më shumë se 4-5 vetë.

Forumi u prezantua si strukturë e krijuar nga vetë të rinjtë, “të cilët me dëshirë, ide të reja, energji dhe me frymë pozitive për të zhvilluar Shqipërinë me anë të shoqërisë aktive, të ndërgjegjshme, demokratike, të mirë qeverisur e të bazuar në të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, krijuan një strukturë të vërtetë për të vënë në jetë këtë koncept, që mbështetet tek rinia e vendit”. Me misionin për të rritur rininë dhe qytetarinë aktive, forcimin e ndjenjës së shoqërisë të së drejtës, inkurajimin e pjesëmarrjes së rinisë dhe qytetarëve në proceset vendimmarrëse etj., FRA promovon përfaqësimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të të rinjve.

Gradualisht forumi nisi të ecte mbi bazën e fushatave të ndryshme për të aktivizuar sa më shumë të rinj. Kjo përfshirje e lartë i shtyu drejtuesit të mendonin për një riorganizuar “krijesën” e tyre, e cila tani ka evoluar në një strukturë shumë më të madhe që synon të përfaqësojë rininë në institucionet e larta të shtetit. Forumi Rinia Aktive tani është shndërruar në Kuvendin Civil, kur ky i fundit është struktura më e lartë, ndërsa ndahet edhe në 5 nënstruktura: Kuvendi Rinor, Forumi Rinia Aktive, Kuvendi i Hapur, Kuvendi i Gruas, Kuvendi i Patriotëve dhe Agjencia Kombëtare e Inovacionit. Çka të krijon idenë e një mini-qeverie apo strukture mirëfilli partiake. Këtu nuk do të gaboheshim shumë, pikërisht pse Dritani konfirmon synimin e organizatës që drejton për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të vitit 2013. “Në këto vite kuptuam se gjithnjë e më shumë donin të bashkoheshin me ne. Kështu krijuam Kuvendin Civil, e cila luan rolin e kupolës së organizatës, me strukturë civile dhe politike e përbërë nga organizata civile në të gjithë vendin. Këta do të përzgjedhin përfaqësuesit e tyre që do t’i kandidojnë në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë”. Gjithsesi, ky organizim i është lënë një kohe të mëvonshme, diku nga fillimi i vitit të ardhshëm. “Asgjë nuk është e lehtë, aq më tepër për organizma që janë larg dy krahëve politikë. Por, kur bashkohen disa njerëz me dëshirë dhe vullnet, diçka realizohet”, vijon Dritani, duke sqaruar se ai vetë do të jetë në listën e kandidatëve për deputetë, por jo domosdoshmërisht kandidatët e tjerë do të jenë të rinj. Çka do të thotë se do të përzgjidhen njerëz që mund të përfaqësojnë të rinjtë në Kuvend, pavarësisht se mund të jenë 30 apo 40-vjeçarë.

E kur biseda ankorohet në temën e politikës, sidomos kur flitet për politikën shqiptare, ka se çfarë të bisedosh. Ende i freskët nga ngjarja e posterave, Dritani bëhet disi fatalist: “Në 2012-ën Berisha do të mundohet të marrë edhe Presidentin, Kryeprokuroren, SHISH-in, gjithçka. Në këtë pikë, shqiptarët kanë veç tre rrugë: Ose do të ngrihen për të vendosur një rend të ri; ose do të largohen në heshtje nga Shqipëria; ose do të mbyllin gojën dhe do t’i nënshtrohen atij. Nuk shoh rrugë të katërt”. Thotë se falë asaj në të cilën e ka shndërruar Shqipërinë Berisha, i duket sikur jeton në sistemin komunist, ku mbikëqyret e survejohet në çdo çast, pavarësisht se regjimin komunist e ka njohur veç nga ekrani, në filma dhe dokumentarë. Kjo është një nga arsyet që e ka shtyrë drejt politikës: vetëm duke qenë brenda sistemit do të mund të kontribuojë për ndryshimin e tij.

Madje, ka nisur që tani të projektojë atë që beson se do ta çojë drejt suksesit organizatën e tij: Një teori të vetën, e cila qëndron mes teorisë të së djathtës dhe të së majtës. E ka quajtur Teoria Civiliste dhe formimi i tij si jurist e ka ndihmuar në këtë sprovë të parë të këtij lloji. “Ajo bazohet mbi një rend të ri botëror, ku synon të sjellë rendin nga kaosi. Është e ndarë në dy pjesë: Sistemi civilist në këndvështrimin botëror dhe si mund të zbatohet ai në Shqipëri”. Mendon ta botojë në formë libri në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, me dëshirën për ta shpërndarë edhe jashtë Shqipërisë. Plani qeverisës i Kuvendit Civil do të bazohet mbi këtë teori të tretë, ku përcaktohen ato se çfarë do t’i ofrohet elektoratit në zgjedhjet e 2013-ës. “Në thelb të kësaj teorie qëndrojnë: ekonomia, politika dhe civili, ku politika është ajo që duhet t’i shërbejë civilit dhe jo e kundërta. Teoria ndërhyn në sistemin ekonomik me pikësynim ndërmarrjet e mëdha të vendit ose sektorët kyçë të saj, si arsimi, mjekësia, pasuritë kombëtare etj”, argumenton ai.

Ky fuqizim i shpejtë i organizatës e ka vënë shpesh përpara pyetjes se çfarë e financon atë, pasi është e vështirë të ngresh nga hiçi një forcë të tillë që synon të shndërrohet në parti politike. Shembull i ngjashëm me këtë është Lëvizja Mjaft, e cila katapultoi në politikë disa nga figurat e saj më aktive me Partinë G99. Dritani thotë se organizata rri në këmbë falë vullnetarëve, të cilët përveç kohës fizike, i kushtojnë asaj edhe një shumë mujore simbolike. Mandej, disa organizata anëtare të Kuvendit Civil marrin fonde nga institucione ndërkombëtare në funksion të aktiviteteve që kryejnë si shoqëri civile. “Mbështetja financiare nga shteti është zero. Aq më tepër pas asaj çfarë ndodhi me posterat”, qesh ai. Pastaj shton se mungesa e një ligji për shoqërinë civile është e qëllimshme, sepse shteti e sheh atë si armike dhe nuk do që ta fuqizojë, në vend që të bëjë të kundërtën. Ndoshta, në 2013-ën, nëse arrin ta çojë në Kuvend organizatën e tij, mund ta ndryshojë këtë situatë. Deri atëherë duhet ta ruajë fort “vrullin rinor”.

 

 

5 Komente

Rinia Aktive, një organizatë rinore e krijuar në vitin 2008, e cila numëron sot mbi tetëdhjetë mijë anëtarë të moshës mbi 15 vjeç.

smiley   O Renato, o "gazetar" ti i beson te gjitha ato qe te thone ne kafene?

 

mungesa e një ligji për shoqërinë civile është e qëllimshme,

Ehhhh, kush ju tha ketyre qe mungojne ligjet per Shoq. Civile?

Po shume mire ben qe e kerkon

smiley

 Persa kohe kjo organizate eshte ne opozite me pislliqet e qeverise, me paaftesine e saj, mua me duket se eshte ne rruge te mbare. 

Sa gjynah.

Te rinj qysh tani te plakur.

Lehtesia e paperballueshme e endrres per t'u bere deputet.  

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).