Sikundër se aspiracioni elementar i ç’do njeriu është të jetojë i lirë, gjith ashtu edhe aspiracioni elementar edhe i drejtë i ç’do kombi është të jetojë independent.

M’anë tjatër që të jesh i lire si njeri dhe independent si komb – pra në plan ekonomik- lipset të jesh i lirë dhe indipendent në plan ekonomik. Duhet të kesh, me të tjera fjalë të siguruar jetesën vazhdimisht të rrjedhur prej fondit dhe prej punës tënde dhe jo prej dëshirës dhe mëshirës të të tretit. E vërtetë kjo për individin është aqë m’e vërtetë për kombin.

Në atribucionet elementare të kombit hyn, përveç gjuhës edhe gjakut, edhe elementi tokë e cila është themeli i jetës fizike. Një komb pa tokë të tijnë, mbi të cilën dhe nga e cila të jetojë është i dënuar ose të vdesë, si komb, dyke u tretur ndër kombe të tjerë, zotëronjës të tokës, ose të rrojë si parazit midis popujve të tjerë. As në këtë rast të fundit, tipi i të cilit është populli çifut, rreziku i çdukjes nuk ësht’ i mënjanuar, sa do i fortë të jetë spiritualiteti i tij.

Të vijmë tani në realitetet shqiptare.

S’duhen prova historike ose tjatër nature se populli shqiptar është “par exellence” populli vëndës i Ballkanit. Popujt e tjerë, e sidomos popujt sllavë dhe fino-tatarë, janë të ardhur shumë më vonë, të shtyrë nga lufta me naturën (uri, epizooti, epidemi) ose nga luftat me popujt e tjerë më të fortë. Populli shqiptar ka, pra, të drejtën e parë historike si vendës i tokës që zotëron sot. Ky popull ka patur shumë fatkeqësi gjatë jetës së tij e sidomos ato të krijuara prej invazioneve të popujve të huaj, më të shumtë në numër, në masën e të cilëve u patnë tretur shumë ujdhesa shqiptare të mbetura të izoluara që nga Nishi e përtej nga Athina e tatëpjetë, ku dhe tani e disa kohë flitej gjuha e shqipes.

Me gjithë këto, atje ku shqiptari mbeti si masë kompakte e mbajti me këmbëngulje kombësinë dhe tokën, me të cilën është lidhur jetesa e tij. Këtë lidhje e qëndrim nuk mundën t’a këputën as qendrat urbane të krijuara dhe shvilluara artificialisht prej të huajve.

Pas luftimesh shekullore, më 1913 popullit shqiptar i u njojt e drejta të jetojë politikisht indipendent. U krijua edhe një Shtet shqiptar. Po gjith atëherë u bë dhe krimi më i math që mund të bëhet kundrejt një populli: krimi i çkëputjes nga trungu shqiptar e gjysmës së popullsis për t’u vënë ndënë zgjedhën e të huajvet.

Meti pra një pjesë zot dhe një pjesë rob.

Më fort se kaq as pjesa e mbetur e lirë politikish, nuk kish bazën ekonomike të nevojitur për të jetuar indipendent. Njëj popull që kish asoherë (prej mijra vjetsh) më shumë se 70-80 000 km. katrore me bazë jetese të siguruar për individët dhe për shtetin – nuk i u la përveç se rreth 28 000 km. katrore dhe ato vetëm male e gremina të cilat e mpruajnë jetën po nuk i japën jetë. Pjesa më prodhuese e cila mund t’i siguronte me të vërtetë indipencencën ekonomike, pra dhe indipendencën politike, së bashku me më shumë se gjysmën e popullit shqiptar u vu ndënë zgjedhën e huaj dhe mbeti si e tillë afro tridhjet vjet me rradhë.

Me bazën ekonomike që i u la popullit shqiptar më 1913 ky s’kish qysh e s’ka qysh jeton, as qysh siguron jetesën dhe financiarisht mbajtjen e një aparati shtetnor minimal. I dënuar kësoj që në lindje Shteti shqiptar i 13-tës nuk kish tjatër rrugë përveç se atë të ndjekur pas 25-sës, detyrimi dhe koncesionimi ndaj të huajve edhe e cila natyrisht do ta shpinte në ngushticën e 7 prillit 1939.

Trembëdhjeta krijoj më anë tjetër, absurditete ekonomike kundër naturës. Nër sa Shtetit shqiptar nuk iu la mundësija të ketë një tokë ku të prodhojë ushqimin e vet në sasi të mjaftueshme, iu konferua një tjatër shteti, tokë (toka jonë) që kalon krejt nevojat e tij. Nër sa rruga e naturshme e grunit edhe e misrit të prodhuar në Shqipërinë e Veri-Lindjes – Kosovë, si jemi mësuar t’i themi sot – ish zbritja ndaj detit Adriatik, mbasi më parë të kishte plotësuar nevojat e malësive të gjith atij fisi, ato mirrnin rrugën e Raguzës, etj.

Serbi, greku dhe popuj të tjerë hanin grurin edhe misrin shqiptar të Kosovës, kur se shqiptari mbetej në uri ose u sillej tregjeve të botës për ushqime.

Sot, me shëmbjen e një shteti fqinj të cilit suksesivisht iu patnë dhënë, brenda disa viteve, emra artificialë, të ngjizura: S.H.S më parë dhe Jugosllavi më von, kemi një shtet shqiptar më të plotësuar. Nuk themi të plotë sepse kufinjtë gjeografikë, historikë edhe ethnikë të tokës dhe të popullit shqiptar zgjaten shumë përtej kufive politikë të sotme, po të plotësuar në raport me ato të 13-tës. Këto kufi dhe tokat e vjetra që hynë përsëri në komunitetin shqiptar dhe, eventualisht, ato që mund të na jepen në të arthmen, në bazë të kombësisë të banuesve dhe të drejtave historike, i sigurojnë me të vërtetë kombit shqiptar indipendencën ekonomike edhe financiare, nga e cila mvaret edhe indipendenca politike. Pivoti i kësaj indipendence ekonomike është Kosova, prodhimi i së cilës vjen e plotëson mungesat e Shqipërisë së Vjetër. Gjithkjo pjesë i u siguron financavet shqiptare, të riorganizuara me kujdes, viabilitetin që u duhet.

Do të ish pa fjalë, absurd pretencioni ynë që këto toka t’i jepen Shqipërisë vetëm në bazën e argumentit ekonomik, të sigurimit të indipendencës së pjesës tjetër. Po nuk është kështu, sepse ky vend ësht’ i banuar krejt prej shqiptarësh dhe se historikisht ka qenë gjithmonë tokë shqiptare. Ne nuk duam të na jepet një tokë e huaj e banuar prej të huajsh, apo të na njihet një tokë shqiptare e banuar prej të huajsh, po të na njihet e drejta mi një tokë shqiptare e banuar prej shqiptarësh. Kaqë e asgjë tjetër!

Kërkon dikush të na ndajë përsëri, për të bluar jetën shqiptare nër kufire të huaja, ne duhet të mpruhemi. Sepse kësilloj mpruajmë të drejtën t’onë për jetesë. Të gjithë lipset t’a dijmë se pa indipendencë ekonomike, s’ka indipendencë politike. Gjithashtu lipset ta dijmë se Shqipërija në kufirat e padrejta të 13-tës, nuk rron dot as ekonomikisht dhe as financiarisht. Kuptohet vetiu: as politikisht.


 

Burimi:
Mitrush Kuteli - Bashkimi i Kombit, 16 qershor 1944

http://vargmal.org/dan6617

10 Komente

5* 

Kërkon dikush të na ndajë përsëri, për të bluar jetën shqiptare nër kufire të huaja, ne duhet të mpruhemi.

ta tregon tufo-lubonja ty.

C'lidhje ka Tufa ketu?

po si s'ka lidhje tufa,ai i meshon ndarjes se brendshme duke sulmuar gjuhen e perbashket shqipe dhe duke perprahur dialektalizmin dhe duke sulmuar gjysmen e shqiptareve nen pretekstin e antikomunizmit(thua se ne veri nuk kishte komuniste).permua keta antikomunistet  ish-komuniste  nuk jane gje tjeter vecse krahinariste qe nuk dalin akoma dot hapur per shume arsye dhe vrerin antikombetar krahinarist e kanalizojne te perrenjte e antikomunizmit.ndersa lubonja si aleat i skajit tjeter nderplanetar i bashkohet korit te perbashket kundra kombit.te dyja palet jane mbeshtetese te rregjistrimit ,nuk u prish pune janua e as deti ,te dy sulmojne idene e shqipes se njesuar ,idene e''nje komb nje shtet'' ,te dy i lepihen sales etj

Ky eshte spekullim i ulet i joti, se une Tufen s'e shoh as te sulmoj gjuhen e perbashket e as gjysmen e shqiptareve.

po tek ''fuqia e deshmise'' nuk ben fillesat e te shkruajturit ne dialekt?se keta tipat qe nuk kane shkruar ne dialekt dhe  e fillojne tani kete sport ,e bejn  per te treguar 'besnikerine' ndaj vijes se ''partise''.une nuk besoj se tufa ka folur me pare ne gjuhen e fshatit te kryetarit te partise.shume nga antikomunistet  e  tufes jane detyruar te pozicionohen si te tille jo per shkaqe ideologjike por per arsye krahinore.se antikomunistit te tipit ''esat toptani'' une nuk i them dot patriot.

Pra te shkruajturit ne dialekt qeka sulm ndaj letrarishtes? Qofsh ti qe nxjerr konkluzione te tilla.

Gjuha e fshatit te kryetarit te partise? Gjuha ne te cilen ka shkruajtur Coba eshte gegnishtja letrare (praktikisht shkodranishte), dhe kjo jo per besnikeri ndaj Berishes sic nenkupton ti, por si nderim ndaj Ejell Cobes dhe vepres se tij e cila sic pohon ai eshte ne pjesen derrmuese te saj ne po kete gjuhe.

I paska ardh rradha dhe Dhimitrit per tu cmitizu..

 

Artikulli me pelqeu dhe argumentonte bukur ekzistencen dhe pavarsine e individit e te shoqerise.  

Nje tjeter artikull ekonomik per shtetin e bashkuar shqiptar nga Kuteli:

 

Një grumbull faktesh paralajmërojnë një vit tepër të rëndë nga pikëpamja ekonomike.

Të rjeshtojmë disa prej tyre:

- Prodhimi bujqësor i Shqipëris së Vjetër është i pa mjaftuarshëm për nevojat e konsumit. Kjo rjeth nga shkaku se shumë toka, sidomos në Jugë edhe gjatë anëdetit, kanë mbetur të pa punuara, nër sa numri i gojëve që hanë është shtuar.
- Prodhimi bujqësor i Kosovës është i mjaftë po nuk munt të sillet nga shkaku i mungesës së mjeteve të transportit dhe të tjera shkake të reja prej natyre të ndryshme.
- Prodhimi i bulmetit është tepër i ultë sepse bagëtia e jonë –ky burim i parë i pasuris së vendit– u pakësua e gati u çfaros prej 1940 e këndej. Në pjesën e Tokave të Liruara e sidomos në rethin e Tetovës ku bagëtia ka mbetur edhe në numur të aftë, nuk është kthyer e nuk do kthehet fare nga Shteti fqinj, ku u pat shpënë për dimërim dhe ne nuk kemi bërë asnjë përçapje për riatdhesim.
- Gjuetija e peshkut e cila ka qënë një burim i math të ardhurash për një kategori njerës e sidomos një kaptinë ushqimi me rëndësi është pezulluar krejt në anëdetin shqiptar dhe zbritur në sasi të vogla pa rëndësi në ujrat e brendshme.
- Dita me ditën është dyke zbritur numuri i automjeteve që mund të përdoren për bartje të brendshme. Kjo gjendje rjeth nga përdorimi i tepërt i motoreve dhe i gomavet – fakt i cili ka sjellë degradimin e tyre,- nga mungesa e pjesëve të këmbimit dhe sidomos nga bombardimet e ajrorëve aleatë të cilët dita me ditë djegën disa nga automjetet t’ona.
- Nga shkaku i rethanavet janë zbrazur shumë qytete e katunde dhe banorët përkatës janë grumbulluar në qëndra shumë vështirë pë t’u nozulluar me ushqime e me dru për zjarr. Kuptohet se kësisoj një numur industrish janë mbyllur dhe shumë toka kanë mbetur të pa punuara. 
- Nga ky shkak i shpërnguljeve dhe nga paralizimi progresiv i ekonomis së vendit një numur i math banorësh ndodhen pa punë. Ky numur ka tendencë të madhohet sepse shumë tregëti, ateliere e të tjera duhet të mbyllen.
- Me ngritjen e vazhduarshme të çmimeve nër sa rrogat mbeten stacionare, fuqija blerëse e një kategorije të gjerë qytetarësh – nëpunësit - është e pa mjaftuarshme t’i bëjë ballë nevojave të jetesës.

Këtyre që më sipër duhet t’iu shtohen difikultetet financiare të Shtetit i cili e mbylli buxhetin e vitit të kaluar me deficite ( me gjith se u patnë përdorur mjaft të ardhura të jashtëzakonshme) deficitet për vjetin rjedhës, degradimi dhe prishja e instalacjonevet portuare, e industrive e rrigëvet, urave dhe të tjera, do mund të kemi një pasqyrë e cila t’i afrohet gjendjes së vërtetë.

Rjedhjet e një gjendje të tillë munt të jenë të shumta nga pikëpamja shoqërore dhe politike, mbasi disa kategori qytetare janë të dënuar në mizorinë më të ashpër. Këto kategori janë : të papunëshmit, nëpunësit dhe njerëzit me të ardhura të kufizuara përgjithësisht, banorët e zonave të rënuara- muhaxhirë ose jo.

Për të mbajtur pak a shumë rendin është nevoja për masa të shpejta – të paktën për disa masa mundësishme : 

- Të mos rëndohet transportimi dhe nozullimi i qendrave me masa administrative dhe politike, veçanërisht me masa kapricioze. Lipset të kuptojmë një herë e mirë se Shteti shqiptar është një e se vetëm ky Shtet lipset të urdhërojë, simbas interesave dhe nevojave të përgjithëshme. Në gjendjen e sotme në vend të urdhërojë vetëm një po urdhërojnë shumë krye e s’po merr vesh i pari të dytin. Ngjan, bje fjala, që një qytet si Kavaja ku prodhimi i grurit kalon nevojat e qarkut, të merren masa prej autoriteteve të vendit ose prej tjatër kujt për ndalimin e bartjes së drithave në Tiranë. Gjith ashtu ngjan edhe më shumë në vise të tjera. Ngjan pastaj që të pretendohen taksa të ndryshme kësisoj që malli të ngarkohet që në Vlorë ose që në Fier e këndej me shtesa çmimi të cilat fundi i fundit kanë për të rënduar përmi konsumatorët. Kuptohet se këto dogana të brendshme të krijuara jashtë ligjit e kundër ligjit vështirësojnë gjendjen ekonomike dhe duhen marrë masa ose bërë kuptime për çdukjen e tyre.
- Prokurimi me kohë i mjet-bartjeve dhe bartja sa më e shpejtë e një sasije sendesh ushqimore, përpara se të fillojë koha e keqe (shirat, etj.) Sa dihet Shtetit Shqiptar i është premtuar një numur automjetesh. Lipset insistuar për realizimin e saj, kundrejt një shërbimi ose pagese kontratuale.
Sa për transportet e druve në distanca të vogla lipsen marrë masa që këto të bëhen mundësisht me karro.
Gjithë me karro lipsen bërë edhe transportet e ndryshme të lëndës së konstruksionit në qytete brenda ose në distanca të vogla ( tulla, çimento, kërqele, shur, etj.)
- Masa të rënda kundër akaparatorëve që kanë grumbulluar dhe mbajnë sende ushqimore në sasira që kalojnë nevojat e tyre.
- Për kategorinë e nëpunësve, në qoftë se Shteti nuk ka mundësi për shtesa rrogash, duhet zhvilluar nozullimi i përbashkët, përmjet një enti qëndror ose entesh të veçuar – kooperativa.

Si do qoftë lipset menduar me kohë mbi mënyrat që duhet vepëruar në fushën ekonomike sepse viti që vjen parajamërohet si një vit shumë i rëndë.

Mitrush Kuteli,
Gusht 1944

Burimi:

Dr Pas – Shënime Ekonomike, Tiranë 1944 *.
 

http://vargmal.org/dan6617#post25907

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).