Dje e pata shkruar editorialin para se Sali Berisha të fillonte autointervistën e tij në TV Klan, dhe kisha paralajmëruar ish- gjeneralin se pas deklaratës që kish bërë, Berisha do ta lavdëronte. Në të vërtetë shpjegimi për të ishte paksa më i gjatë duke e vendosur në kontekstin e vdekjes së Kosta Trebickës, i cili u detyrua të zbutej para vdekjes dhe pas vdekjes u lavdërua nga kryeministri. E theksova se është një zakon i vjetër i kryeministrit që përbalt të gjallët dhe lavdëron të vdekurit. Në rastin e gjeneralit e bëri pa vdekur akoma fizikisht, pasi i duket punë e mbaruar.

Por më shumë se sa për gjeneralin, shfaqja publike e kryeministrit tregonte makthin me të cilin Berisha kish jetuar për një javë derisa bindi gjeneralin të dërgonte nga s’dihet se ky një e-mail, që s’dihet se ku ai ka takuar ambasadorin amerikan, ka bërë me të një bisedë konfidenciale, por nuk ka përmendur Shkëlzenin. Pas kësaj Berisha ka brofur në këmbë dhe është nisur për tek ekrani ku pyet dhe përgjigjet vetë.

Për gjithkënd që e njeh nga afër Sali Berishën, është e lehtë të dallojë makthin që ai ka për çdo ngjarje që lidhet me djalin e tij. Ndryshe nga akuzat kundër së bijës që bëjnë fjalë për gjëra më të sofistikuara nga ana ligjore dhe për sjellje më të maskuar, sa herë që del në skenë i biri i tij, ai shqetësohet dhe i merr vetë betejat përsipër. Kështu, kur emri i Shkëlzen Berishës u shfaq për herë të parë në institucionet amerikane si tutor i kontratës për ripaketim fishekësh kinezë drejt Afganistanit, Berisha, siç e ka pranuar vetë më vonë, pa pasur një korrespondencë intensive me gazetën New York Times për t’i sqaruar ata se i biri i tij nuk kish lidhje me atë histori, u përfshi vetë në negociata me gazetarin që mbërriti në Tiranë dhe më pas me Chris Chivers, vetë, që kjo çështje të mbyllej dhe të mos citohej si ngjarje e sigurt prania e djalit të tij në këtë histori. Angazhimi ishte maksimal dhe zhvillohej gati në një klimë terrori dhe për bashkëpunëtorët e tij që duhet të bënin sikur nuk kuptonin asgjë nga kjo histori, për të mos qenë “dëshmitarë të djallit”. Muaj më vonë kur shpërtheu fabrika e djalit të tij në Gërdec, ai u angazhua përsëri vetë për të mbuluar skandalin e djalit. Ngatërroi me shpejtësi emrin e baxhanakut të tij, që i biri kishte punësuar për të ndihmuar tezen nga ana financiare dhe për të pasur njeri të besuar në krye të punës. Organizoi në fshehtësi varrimin dhe futi nën terror gjithë bashkëpunëtorët e vet që duhet të kuptonin se tani duhet të harronin që Shkëlzeni u kishte trokitur zyrë më zyrë për atë projekt. Më vonë historitë e të birit i vazhduan. Herë- herë i shfaqej Rrahmani në Gërdec, e herë- herë në Orikum, herë me toka nga Vjosa në Ujë të Ftohtë e herë me toka në Sarandë, dhe gjithmonë avokati i të birit bëhej kryeministri. Vriste kamarierë e digjte makina shoferi i familjes që rrinte me të birin dhe prapë avokat i tij bëhej Sali Berisha. Së fundmi po përpiqet ta mbrojë atë dhe nga raportet e pakthyeshme të ambasadës së SHBA në Tiranë. Në mënyrën e tij gjysëm qesharake e gjsyëm spekulative foli për një “revoltë” të djalit të tij ndaj Wikileaks, një deklaratë qesharake, që mund ta besojnë vetëm mendje të shkurtra në ndonjë skutë të vendit. Wikileaks është paditur ndërkohë nga qeveria amerikane për publikimin e dokumenteve pasi i ka bërë shumë dëm diplomacisë amerikane. I ka bërë dëm se ka botuar gjërat e vërteta të saj. Po të ishin të gënjeshtërta, as që do ta kishin dënuar dhe nuk do të merreshin fare me të.  Njeriun, të cilin duhet ta padisë Shkëlzen Berisha, nëse guxon, është Luan Hoxha, pasi askush nuk vë në dyshim vërtetësinë e deklaratës së tij në zyrë të ambasadorit. Por atë nuk guxon ta bëjë. Deklarata e Berishës që Luan Hoxha nuk ka folur kurrë me Shkëlzen Berishën, i ngjan deklaratës së tij se Mihal Delijorgji nuk ka folur kurrë me Shkëlzen Berishën. Pastaj ne i botuam tabulatet që tregonin se Mihal Delijorgji menjëherë pas tragjedisë, pasi ishte përshëndetur me gruan dhe kunatin, kishte folur gjatë me Shkëlzen Berishën… Nuk foli më pas kësaj Sali Berisha, dhe nuk mori përsipër siç e merr gjithmonë të na tregojë se me kë, përveçse partnerit në biznes, mund të flasë një biznesmen në një ditë tragjike si 15 marsi, pas bisedës me gruan dhe kunatin administrator????

Unë uroj që Berisha ta mbajë mend këtë deklaratë dhe të rishikojë dhe një herë tabulatet e djalit të tij. Nuk duhet të heqë shpejt dorë nga zakoni i të pasurit besim tek përgjegjshmëria e tij.

Pas Shkëlzenit, njeriu në emër të të cilit foli më shumë ishte Luli. Foli se ç’kish bërë dhe ç’do bënte ky njeri në Bashki. Nuk përmendi faktin që tre njerëzit e parë që ka emëruar në Bashki janë goca e tezes e gruas, motra e shoferit të gruas, dhe arkitekti i pallatit të tij të paligjshëm mbi ujë në Vlorë… Këto i injoroi. Injoroi dhe përshkrimin që i ka bërë diplomacia amerikane Lulit si i paaftë, mediokër, apatik, dhe sens të zhvilluar korruptimi. Foli për ato që ai mendon se është duke bërë dhe do të bëjë në Bashki, sikur të ishte kryetar Bashkie. Në gjithë atë përkujdesje që vërehej për të mbuluar çdo detaj të jetës së djalit të tij biologjik dhe djalit të tij politik, lexohej makthi që ka çdo prind për fëmijët e vet me zhvillim të vonuar. Prej tyre pret gjithçka, gafa, skandale, vjedhje, letra të mbetura hapur, dokumente komprometuese, tabulate, foto, llogari bankare të dyshimta, nepotizëm familjar… gjithçka. Duke e ditur këtë hall, ai po sillej dje si një prind në makth, si një baba i acaruar nga ideja se dikush po e merr nëpër këmbë për shkak të djemve të tij të pazotë për të qenë “djemtë e të atit”.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).