1. Luani (Hoxha) me frikën e lepurit

Nuk dua ta di fare nëse ka apo jo nen të veçantë në Kodin Penal të Republikës që më dënon nëse mallkoj një ose më shumë individë. Aq më tepër kur këtë mallkim do t’ua lëshoj atyre të gjashtëve,atyre zyrtarëve bythëpambukë për të cilët paguan taksa i madh e i vogël, atyre që në vend të bëjnë detyrën kushtetuese ndaj publikut shkojnë e qurraviten si fëmijë të besdisur kopshtesh dhe ankohen se jeta e tyre qenka në rrezik. Unë sot do të konvertohem në plak hebre, thjesht për disa minuta do të kopjoj magjistarët e frikshëm Kabalah dhe do të marr guximin të mallkoj për herë të parë në jetën time. Dua t’ua nxij turpshëm fytyrat njerzve që u pëlqen pushteti dhe profitet e tij por mungesën e përgjegjësisë e justifikojnë me terrorin e mafias qeverisëse.

Besoj e kuptuat për kë po shkruaj sot, e nuhatët kë po anatemoj dhe mbushur plot me rrevoltë u ftoj që së bashku me mua të tallim mallkueshëm pushtetarët tanë të cilët kabllogramet e Wickileaks-it i zhveshën nudo para syve tanë dhe e morëm vesh që shumë prej tyre janë spiunë të shokëve, frikacakë dhjaksa, hajdutë orientalë, kurva në karakter dhe njerëzit më të poshtër të këtij vendi. Unë personalisht nuk e besoj se frika dhe terrori që u janë kanosur eminentëve të pushtetit në këtë vend i kanë penguar këta të gjorë në ushtrimin e detyrës. Besoj se edhe Withers si ish diplomat i rafinuar dhe dhelpërak thjesht sa i ka mikluar këta sharlatanë me kollare dhe grada. Ka bërë sikur i ka besuar dhe thjesht ka raportuar ironikisht drejt Washingtonit për ti treguar qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës se në këtë planet me emrin Tokë ekziston një Republikë Spurdhjakësh që veçse i futin pas shpine thikën njeri-tjetrit!

Si mund të ndjehet i frikësuar dhe i kërcënuar Komandanti i Forcave të Armatosura të një Republike në mes të Evropës, një President që ruhet nga Garda Republikane 24 orë në ditë,zyrtari dhe qytetari Numër 1 i Shqipërisë i cili fantazon se do e sulmojnë me gurë militantët e Sali Berishës? Gabohet Bamir Topi se demokratët e vërtetë nuk njohin gurë dhe pllaka trotuaresh, demokratët rrëmbejnë tanke,mitraloza dhe bëjnë grushte shteti. Militantët qëllojnë mbi njerëz me armët e gardës. Bamiri i njeh taktikat e tyre më mirë se Withers por nëse do të ndjehej shtetar i vërtetë do ti kish thirrur edhe pesë të kërcënuarit e tjerë e së bashku me ta “Live” si Fatos Nano në KPD-në e famshme mes kamerash e mikrofonash të na flisnin hapur rreth këtyre kërcënimeve. Aty nga zyra e tij të na shfaqej në krah të Ina Ramës, Bahri Shaqirit, Hysni Burgajt, Kreshnik Spahiut, Luan Hoxhës dhe së bashku të shfrytëzonin kompetencat dhe imunitetin që u jep ligji, të bëheshin grusht dhe t’ju gjuanin me grusht kërcënimeve të Berishës a të djalit të tij.

Unë nuk u besoj këtyre historive por si qaramanë aspak produktivë në postet e tyre këta zyrtarë kujtojnë se shpërndajnë përgjegjësinë duke e deleguar diku tjetër. Ndjehen të frikësuar njerzit që drejtojnë ushtrinë me armët e saj, njerzit që kontrollojnë organin e akuzës dhe policinë. Ndjehet i frikësuar nënkryetari i KLD-së dhe shefi i Aleancës Kuqezi. Kreshniku që do të bashkojë Kosovë-Shqipëri-Maqedoni-Çamëri paska frikë. Nuk ka frikë as nga serbët,as nga grekët por ka frikë nga një shqiptar i vetëm me pak pushtet. Kur paskan frikë këta të gjashtë me bodyguard-ë,makina,shoferë e gardistë pas bythe po unë që edhe këtë muaj nuk bleva dot abone autobuzi çfarë duhet të bëj? Shumë thjesht për tu kuptuar, me justifikimin e frikës kamuflojnë bizneset e tyre dhe paralelisht i zgjasin jetën qeverisë së koalicionit Tropojë-Skrapar-Çamëri-Dropull!

  

2. Van Dammi me karate, Bruce Lee me kung fu, Florenc Hoxha me dhunën blu

Duhet të ketë bërë ndonjë pakt të fshehtë Ramiz Alia me Sali Berishën në marsin e largët të 1992. Kur ndërruan qetësisht pushtetet ky i fundit do ti ketë premtuar Alisë se kultura e dhunës bolshevike do të vazhdonte edhe pas zëvendësimit të Hekuran Isait. Malësori doktor e mbajti fjalën me suksesorët dhe aksesorët e regjimeve të tij. E nisi me shikun dhe shiksat leshpalarë të Gazidedes dhe po e vazhdon edhe sot dhunën në moshën e internetit me Florencin pa lesh në kokë të policisë Lul Bash(a)kiake.

E patë atë farë lloj burri që dhunon gra në detyrë mes kolegëve? Më rezulton se kjo specie me kokë në formë çiftelie, paska qenë shef i Rajonit 3 të Policisë në Tiranë. Mes zyrash administrate dhe i filmuar zotëria dhunonte pa pikë turpi, imagjinoni çfarë mund të ketë bërë me qytetarët e thjeshtë nëpër qelitë e ndyra pa dritë të rajonit? Unë e njoh këtë racë të ndyrë policash si ky burracaku i bashkisë.I njoh sepse kam goxha eksperienca me ta dhe janë egërsira përsa kohë kanë pushtetin dhe gradat mbi supe por kur i largojnë me ceremoni nga puna këta tipa fshihen si lepuj dhe i sheh të dalin vetëm te kafja poshtë shtëpisë. Nuk çuditem me sjelljen e këtij Florenci që u bë polic sepse e kanë tallur dhe dhunuar shokët e lagjes qysh në fëmijëri. Kërkon të mbushë me hakmarrje defiçensat e krijuara nga personaliteti i deformuar që ka dhe si shpagim dhunon gra, dhunon gra se fuqia e tij nuk mund të përballet me potencën e një mashkulli. Dhunon gra se edhe eprorin që drejton bashkinë e ka porsi grua pemë(krah)thyme. 

Ky Florenci nuk më çudit, por tu them të drejtën ditën e incidentit mbeta i zhgënjyer kur i pashë vetëm pa përkrahje gratë e bashkisë. Mendova se pasi është informuar Jozefina Topalli do të kishte marrë në telefon Arta Daden,Majlinda Bregun,Rajmonda Bulkun,Valentina Leskajn,Albana Vokshin,Olta Xhaçkën dhe do të ishin gjendur atje. Elsa Ballauri e Diana Culi bashkë me aktivistet e tjera të të drejtave të njeriut do kishin njoftuar edhe gratë e tjera te Avokati i Popullit dhe do të lëshoheshin me vrap për solidarizim. Edhe Sonila Meço me Rudina Xhungën,Ilva Taren,Arbana Osmanin mendoja se do i shikoja mes protestueseve. 

Kujtoja kur para 3 vjetësh doli Withers në konferencë urgjente shtypi pse deputeti Tom Doshi dhunoi një gazetar (që nuk e kishte filmuar askush) dhe mendoja se të njëjtën gjë do të bënte zëvendës ambasadorja amerikane Deborah Johns por u gabova…

Më falni por mua më duket se më ka rrjedhur truri fare. Thotë mirë Dr. Tritan Shehu që eliksiri i Detit Mesdhe më ka dalldisur këtë behar. Unë kërkoj qiqra në hell dhe harroj se Liljana Arapit i preu kokë,këmbë e krahë Gaqo Dumka dhe opinioni publik klithte frikshëm : Mirë ia bëri se ishte kurvë!!!


3. Dy shënime të rëndësishme

- Të hënën më 12 shtator fillon shkolla edhe në qytezën e Bulqizës. Fëmijët naivë si ëngjëj barktharë do të ulen në banka me çantat bosh pa libra, pa rroba të reja,me fytyrat e djegura nga dielli. Në pushimin e madh nuk do të hanë ato çokollatat turke 10 lekëshe sepse baballarët e tyre minatorë kanë një muaj që protestojnë dhe nuk marrin rrogat. Janë të raskapitur edhe këta fëmijë si prindërit por ndjehen krenarë. Me rezistencën e tyre sollën në shinat e duhura sindikalizmin shqiptar dhe së bashku me Kol Nikollën e detyruan sipërmarrjen private shqiptare a të huaj të dijë si të respektojë punëmarrësit. Jemi në nëntokën e Shqipërisë,jo të Kongos.

- Më 1997 ish politikania italiane Irene Pivetti na mallkoi dhe shqiptarët i hodhën në det. 14 vjet më pas si skuthe shkoi te vendi i krimit dhe shtangu kur një grua vlonjate e brejtur nga vdekja e 4 njerzve të dashur ia plasi fytyrës:

“Ardhja jote këtu ka helmuar tokën shqiptare dhe zemrat tona. Vetëm tri ditë para se të mbytej Katëri i Radës ti kërkove të mbyten shqiptarët dhe ne sot kërkojmë të paktën t’i përgjigjesh pyetjes ‘pse i urren kaq shumë shqiptarët?’. Ne i nderojmë miqtë, kemi miq italianë, por ty jo. Ti je antishqiptare dhe prezenca jote na risjell kujtimet e të afërmve të mbytur”.

Irena e Berluskonit dhjeu prej frikës duke provuar se shpagimet në këtë jetë janë të pashmangshme ndërsa deti në Vlorë dallgosi fuqishëm bregun atë ditë. Ishte shpirti i të mbyturve… u lehtësuan disi…

5 Komente

Unë e njoh këtë racë të ndyrë policash si ky burracaku i bashkisë.I njoh sepse kam goxha eksperienca me ta dhe janë egërsira përsa kohë kanë pushtetin dhe gradat mbi supe por kur i largojnë me ceremoni nga puna këta tipa fshihen si lepuj dhe i sheh të dalin vetëm te kafja poshtë shtëpisë

Me pushke ne dore ,behet luan dhe lepuri.smiley

 

Jo nuk them smiley . Shkrimin e kam sjelle per Dy shenimet ne fund. Kush s'i vuri re, aq me keq per te.

hej mane, t'pershnes me i oldie (shenj e sigurt qe u fute te rrethi i "mos humbisni&quotsmiley

http://youtu.be/yFe78Cm0YCE

besoj qe e ke qejf ket zhaner, mos m'zhgenje me i llaf. se ti qe shkru kshu dhe mos me pelqy stonsat e pare te pakomercializu ala, kjo nuk shko.

Nuk çuditem me sjelljen e këtij Florenci që u bë polic sepse e kanë tallur dhe dhunuar shokët e lagjes qysh në fëmijëri. Kërkon të mbushë me hakmarrje defiçensat e krijuara nga personaliteti i deformuar që ka dhe si shpagim dhunon gra, dhunon gra se fuqia e tij nuk mund të përballet me potencën e një mashkulli.

Më falni por mua më duket se më ka rrjedhur truri fare. Unë kërkoj qiqra në hell dhe harroj se Liljana Arapit i preu kokë,këmbë e krahë Gaqo Dumka dhe opinioni publik klithte frikshëm : Mirë ia bëri se ishte kurvë!!!

    ....no comment

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).