Pango: S’kam dhimbje për ndërtimet buzë detit, do prishen
Gazeta Standard
Intervistë e ministrit të Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Ylli Pango, dhënë për emisionin “Përballë” të gazetarit Lutfi Dervishi. Ministri shpjegon se çfarë po ndodh me turizmin shqiptar, reformimi dhe investimet që do t’i sjellin Shqipërisë 2-fishin e turistëve të një viti më parë.
Shqipëria sapo ka hapur sezonin turistik. Vjet u deklarua se patëm një bum me 1.6 milion turistë. Ju keni deklaruar që sivjet presim 2 milionë turistë, pra 400 ose 500 mijë turistë më shumë. Çfarë ka ndryshuar në harkun e një viti, që ju bën të deklaroni shifra të tilla?
Më lejoni të bëj një korrigjim të vogël, se natyrisht dhe mediat kanë dorën e tyre në ndryshimin e shifrave. Në të vërtetë turistë të huaj ka pasur 1 milion vitin që shkoi. Dhe unë kam premtuar këtë vit të ketë 2 milionë (të huaj), kurse së bashku me shqiptarët vjet kanë qenë 2.1 milionë. Domethënë kanë qenë 1 milionë të huaj dhe 1.1 milion shqiptarë, të cilët llogariten nga OBT-ja (Organizata Ndërkombëtare e Turizmit të Kombeve të Bashkuara) si turistë, pra shqiptarët që nuk janë rezidentë këtu, shqiptarë emigrantë, të cilët vijnë, investojnë apo harxhojnë, rrinë nëpër qendra të ndryshme në hotele, në shtëpi etj.
Shqiptarët që nuk janë rezidentë këtu ne i quajmë turistë të huaj?!
I quajmë vizitorë, të cilët llogariten në numrin e turistëve në çdo statistikë të çdo vendi të botës. Këtu ka ngandonjëherë një nonsens dhe gjej rastin t’ua them mjaft njerëzve që spekulojnë me këtë. Nuk është fjala për shqiptarë që lëvizin brenda vendit (është budallallëk ta thuash këtë), nuk është fjala për shqiptarët që e kanë shtëpinë këtu dhe që mund të lëvizin, të jenë dhe jashtë vendit përkohësisht. Është fjala për ata shqiptarë që tashmë janë zhvendosur që përfaqësojnë emigracionin tonë jashtë shtetit, që nuk janë pak, dhe që këta dihet si statistikë (nuk është se hynë dhe dalin shumë herë), por hynë sidomos në periudhat e festave, hyjnë në periudhat e pikut turistik, në periudhat e fundit të vitit. Dhe të gjithë këta llogariten jo nga ne. E theksoj edhe një herë, janë statistika të Organizatës Botërore të Turizmit. Kurse si të huaj janë 1 milion.
Më lejo të sqarohem. Në qoftë se një shtetas shqiptar që është martuar me një shtetase të huaj, që ka 3 fëmijë dhe vijnë në këtë sezon në Shqipëri, llogariten 5 turistë të huaj?
Kjo varet nga fakti se sa… ky në qoftë se jeton jashtë, dhe është rezident jashtë, padyshim që llogaritet sepse është një vizitor. Bile përdoret termi “vizitor” sot më shumë. Pra vizitorët e huaj në vendin tonë kanë qenë 1 milion. Këtu përfshihen dhe kosovarët pa dyshim sepse… edhe shqiptarët e Maqedonisë… Që i bie një shifër në rritje rreth 30% më shumë sesa katërmujori i parë i vitit të kaluar. Pra që në fillim ne kemi pasur shumë dyndje vizitorësh.
Nëse mund të flasim për një lloj gjeografie. Nga i presim këta turistë?
Shiko… edhe kjo pjesa e turistëve patriotikë duhet saktësuar diçka. Unë isha në Prishtinë për të bërë promovimin e turizmit shqiptar. Aty hapëm dhe panairin tonë, çuam si të thuash pavijonin tonë që kemi pasur edhe në Berlin e çuam dhe në Kosovë. Dhe unë po them… dola në një emision televiziv në Televizionin e Prishtinës dhe po them që ka pas interesim të jashtëzakonshëm dhe nuk është kaq i kollajshëm dhe ky turizëm patriotik. Dhe turisti kosovar pa dyshim që vjen edhe për shkak të sensit patriotik në Shqipëri. Por në qoftë se nuk do të gjejë kushtet (të cilat ne i kemi vazhdimisht në përmirësim), nuk do të vijë prapë. Ne këtë vit… (ky nuk është premtim, por ky është realitet që po bëhet pothuajse çdo ditë) këtë vit kemi shumë më tepër dhe turistë nga Kosova. Këta përbënin vjet me shqiptarët e Maqedonisë së bashku 35-40% e turizmit tonë total.
Të ndalemi një moment tek shqiptarët e Maqedonisë, ose te turistët nga Maqedonia…
Por do të duhet vetëm një gjë… që të mos harrojmë që ka pasur 8-9% grekë. Ka pasur deri në 8% serbë, ka pasur në një total 92% evropianë të vendeve të ndryshme. Këtu përfshihet edhe kjo pjesa që të thash 35-40%-shi i kosovarëve. Domethënë ne kemi pas mjaft turistë të huaj. Prandaj dhe them ajo shifra 1 milion e vitit të kaluar, këtë vit ne kemi premtuar ta bëjmë 2 milionë vetëm për të huajt. Ndërkohë që shqiptarët vazhdimisht çdo vit i kemi. Që vijnë shqiptarët e emigracionit që llogariten gjithashtu.
Përmendët shqiptarët e Maqedonisë, do të përmendim qytetarët e Maqedonisë pa i theksuar etnicitetin. Për shkak të problemeve politike me Greqinë, një pjesë e agjencive turistike në Maqedoni kanë kërkuar oferta për të vizituar Shqipërinë. Po kështu për shkak të konjukturës politike, të paktën në qoftë se shikon bloget dhe diskutimet në internet të shqiptarëve të Kosovës, thonë: “Pse të shkojmë në Malin e Zi se është një shtet që akoma nuk na ka njohur!”. Çfarë keni menduar ju për të përfituar nga ky moment të themi politik për ta shfrytëzuar në favor të turizmit?
Kam kënaqësinë t’u them që neve këto i paraprimë. Dhe më vjen mirë kur i dëgjoj që në emisione televizive apo nëpër median e shkruar dalin njerëz që thonë: ata duhet ta parashikonin këtë gjë. Në një kohë që ne e kemi bërë këtë. Madje nuk është… si të thuash e ndaluar ta them që i pari që e ka menduar këtë ka qenë Kryeministri, i cili përpara një muaji më ka rekomanduar ta promovoj turizmin shqiptar edhe në Maqedoni edhe në Kosovë. Pa dyshim që në planet tona kjo ishte, por duke parë edhe politikën dhe këto që thatë juve ne padyshim që … meqenëse tregu turistik është një treg kompetitiv, dhe ne luftojmë ta kemi në rajon. Unë e bëra udhëtimin tim në Prishtinë, bëra promovimin turistik atje dhe ka qenë shumë i suksesshëm, dhe ka pasur vërtet një pritje të jashtëzakonshme, ndërkohë për në Maqedoni kam tentuar dy herë. Kam shkuar në Shkup, kam përgatitur edhe pavijonin përkatës, por më është rekomanduar nga autoritetet vendase që ta shtyj deri në mbarimin e zgjedhjeve, që i bie që mbas ripërsëritjes së tyre në disa zona në Maqedoni, unë të shkoj atje. Ndërkohë ata janë në dijeni për këtë promovim që do të bëhet atje, prandaj këto masa i kemi marrë. Tjetra… sinjali ynë pozitiv kush ka qenë? Edhe vjet madje, ambasadorja e Maqedonisë në Shqipëri ka ardhur paraprakisht dhe ka vënë në dukje që kërkesat i kanë të shumta. Jo vetëm, - tha – shqiptarët, por edhe maqedonasit (maqedonasit si kombësi) kanë kërkuar shumë që të vijnë në Shqipëri dhe për konjuktuarat që ju thamë… ne padyshim duke qenë dhe njerëz politikë u paraprijmë këtyre gjërave. Qoftë për këtë që thatë ju për Kosovën lidhur me Malin e Zi, qoftë për këtë që thatë për maqedonasit lidhur me raportin e tyre që kanë me Greqinë.
Ju keni qenë në Kosovë këto ditët e fundit. A ndikon fakti që tashmë Kosova është shteti i pavarur dhe shqiptarët në Kosovë e kanë shuar këtë kuriozitetin e parë për të parë të themi Tiranën, Krujën, monumentin e Skënderbeut…?
Jo, ata, madje pyetja, një nga pyetjet kryesore shumë interesante e di kush ishte? A do jetë në gjendje rruga Durrës-Kalimash, për të kaluar ne? Sepse e kanë parashikuar të vijnë përsëri dyndje makinash. Kuptohet vijnë edhe nga Komani, ju e keni parasysh. Por bëjnë edhe këtë rrugë. Dhe unë i thashë që padyshim që rruga është në konstruksion, por ata kuptohet me pak vështirësi këtë vit, por shumë lehtë vitin që vjen (që do e mbarojmë) mund të vijnë dhe do të vijnë.
A do të zërë, sipas këtyre që po thoni, turizmi patriotik “pjesën e luanit” edhe këtë vit në të ardhurat që përfitohen nga turizmi?
Varet çfarë quhet pjesë luani! Në qoftë se për shembull luani shfrytëzon 35-40% e presë, atëherë i bie që të quhet pjesë luani. Mirëpo zakonisht luani ka 90% dhe për hienat dhe çakejtë (po e them në mënyrë figurative) lë 10%. Kështu që në këtë sens unë them 35% ose 40% që ka qenë vjet është një pjesë goxha e mirë. Por mos harrojmë që një 60% tjetër janë turistë evropianë në sensin e vendeve të tjera, veç Kosovës dhe Maqedonisë, ku përfshihen turistët, siç e thashë turistët grekë, turistë serbë që kanë ardhur, turistë gjermanë, turist italianë, turistë skandinavë. Dhe këtë vit unë shkoj në 15 Qershor-16 Qershor nisem për në Shtetet e Bashkuara, sepse dhe me ndihmën shumë të vyer të ambasadës sonë atje ne kemi siguruar kontakte me faktorë shumë të rëndësishëm, të cilët janë promotorë të turizmit amerikan me operatorë turistikë, me agjenci të veçanta. Unë do kem një tur domethënë… shumë të ngarkuar, takimesh. Dhe numri i cili ka qenë… përqindja e cila ka qenë vjet vetëm 2% , pra vetëm 2% kemi pasur turistë amerikanë ne, unë shpresoj që këtë vit të rritet goxha. Pse është e rëndësishme? Jo vetëm për faktin se amerikanët do të vijnë në sensin…do e njohin Shqipërinë me të cilën tashmë e dinë që lidhjet janë shumë të mira dhe gjejnë një traditë mikpritjeje dhe një hospitalitet të jashtëzakonshëm, madje e kanë theksuar.
Ju i referoheni vizitës së Presidentit Bush në Tiranë?
Në mediat amerikane është vënë në dukje, domethënë hospitaliteti shqiptar, por dhe për një arsye tjetër: turistët amerikanë ka vite që e njohin Kroacinë, e njohin Malin e Zi, njohin Greqinë… vijnë deri aty, por nuk bëjnë siç thuhet një “jump” (kërcim) në Shqipëri. Pra, ata tani do të kenë si të thuash, një plus më shumë për të vizituar Shqipërinë dhe për derisa vijnë në Ballkan një pjesë e tyre, dhe këtë po e organizojmë dhe me operatorët turistik amerikanë, do ta kenë dëshirën të përfshihen dhe në paketa turistike që të përfshinë tre vende apo katër vende ku të përfshihet dhe Shqipëria.
Çfarë do të gjejnë turistët që do të vijnë këtë vit më mirë sesa vitin e kaluar në Shqipëri? Dhe i referohem kryesisht…
Unë do t’i referohem kundër analizës së disa njerëzve që sapo i ul diku në tryezë për turizmin kujtohen ça kanë thënë një vit përpara, dy vite përpara dhe duke mos dalë fare nëpër Shqipëri fillojnë menjëherë ripërsërisin pa parë se çka ndodhur ato që kanë thënë vjet, dhe paravjet dhe para sivjet. Për shembull: flitet për plehrat… është marrë një aksion shumë i madh për plehrat. Dhe nuk është kontribut i një ministrie, është kontribut i disa ministrive, është kontribut i pushtetit lokal, është kontribut i sensibilizimit të opinionit, është kontribut… pse mos ta themi dhe i spoteve, një pjesë e të cilëve u transmetuan në Televizionin Shqiptar. Kundër plehrave, është sensibilizimi e theksoj, i njerëzve që gjithnjë e më tepër e ndjejnë që është për të mirën e tyre ta mbajnë mjedisin pastër, sepse në fund të fundit po bëjnë një biznes, po organizojnë një… si të thuash pritje të turistëve, të cilët do t’i japin të ardhura, nga të cilët do të marrin të ardhura. Për rrjedhojë edhe vetë pronarët tani janë shumë të interesuar, dhe ka filluar të ndryshojë. Po të shikon në periudhën përpara pikut, plazhet tona në një pjesë dërmuese janë shumë të pastra. Shumë të pastra dhe ky konstatim është dhënë dhe nga mediat dhe nga të intervistuarit. Jo nga njerëzit që nuk kanë shkuar të shikojnë. Është shumë më pastër Saranda, Vlora, Durrësi vetë që e kemi kaq pranë, e njerëzit nuk shkojnë ta shikojnë. Pa dyshim periudha e pikut që është korriku dhe gushti, duke pasur një “oler”, një mbipopullim, pa dyshim që ka probleme për ta pastruar imediatisht dhe për t’iu përgjigjur çdo ditë domethënë kushteve higjienike. Por mos të harrojmë që ne jemi në ngjitje edhe në këtë aspekt, dhe vetë masat paraprake tregojnë për sensibilizim. Tjetra… është hera e parë që punohet për impiante të përpunimit, të pastrimit të ujërave të zeza…
E ke në Kavajë, tani po përgatitet në Durrës, po përgatitet në Vlorë, po përgatitet në Sarandë. Plus puna me ujësjellësit. Në Pogradec po ashtu. Domethënë në pesë prej qendrave kryesore turistike ne shumë shpejt do të kemi përpunues të ujërave të zeza që s’e kemi pasur kurrë, që është prapë një sukses.
Turistë të huaj që mund të vijnë për biznes, për atraksion, për kuriozitet, për turizëm, për faktin se është vend i lirë nga pikëpamja ekonomike dhe kjo është sfida e parë që duket se do të kapërcehet, pra ata do të vijnë. Sfida e dytë do të ishte t’i mbajmë këtu, dhe sfida e tretë akoma dhe më e vështirë: t’i bëjmë që të vijnë dhe vitin tjetër. Çfarë është menduar sidomos për këtë të tretën?
Tani unë kam… do të theksoj një gjë. Neve vazhdimisht duke menduar që vetëm vera është sezon turistik na shpëton… edhe mua më shpëton, edhe mua më shpëton shpesh të themi në të shprehur: “i presim… presim”. Këta tashmë jo kanë filluar, por kanë kohë që kanë ardhur. Po të jap ca fakte, nga Gjirokastra (lexoni mediat e shkruara) janë me qindra dhe me qindra vizitorë… tani janë bërë dhe me mijë vizitorë që vijnë. Kanë qenë për shembull mbi 120 turistë italianë që vizituan Gjirokastrën para dy-tre ditësh. Nga Saranda kanë ardhur disa kroçiera, me përjashtim të një ngjarjeje që dihet me një fjalë, ne morëm masa të menjëhershme. Ishte një gafë e një personi, e një individi, por po theksoj: në Sarandë janë prenotuar 39 kroçera nga të cilat kanë ardhur tashmë disa. Në prill erdhi kroçera këtu nga Kroacia. Priten, domethënë këtë vit priten, dhe ndërkohë kanë ardhur… priten me dhjetëra dhe kanë ardhur mbi 10-15 kroçera. Që tani! Përfytyroni që Saranda vazhdimisht, edhe kur ishim ne në prill, por edhe në maj që çelëm sezonin turistik… që çeli sezonin turistik Kryeministri, në Sarandë kishte turistë të huaj jo vetëm rrugëve të Sarandës, por dhe në hotelin “Butrinti”, edhe në zona të tjera të Sarandës. Domethënë turizmi tashmë ka filluar dhe ka filluar në një periudhë ka qenë e pa parë më përpara, ka qenë krejt e shkretë. Për këtë arsye ky progres, duhet të jesh profesionist, duhet të jesh i fushës, por duhet dhe të lëvizësh që të shikosh… ndihet, është shumë i prekshëm, habitem me njerëzit se si gjykojnë direkt nga tryeza, pa parë fare… me lëkurën shumë të bardhë nuk gjykojnë që duhet të shkosh ta gjykosh atje. Unë e theksoj këtë sepse vë re në mënyrë të çuditshme ftohen njerëz për të folur për këto… si të thuash për këtë gjendje, për këtë trend, pa i pyetur: Zotëri kur ke qenë për herë të fundit në Sarandë, kur ke qenë për herë të fundit në Himarë, kur ke qenë për herë të fundit në Vlorë madje dhe në Durrës. Pse? Dëgjoja me kujdes në një emision televiziv një specialist të njohur dhe vërtet një amator vërtet të apasionuar pas turizmit. Ai kishte qenë para një jave në Jug. Për të parë… për punët e tija, por kishte parë infrastrukturën e re. Unë shkoj pothuajse çdo javë, ose pothuajse çdo dy javë dhe po them: unë mrekullohem sepse sa herë që shkoj ndjej pulsin në rritje të infrastrukturës, e cila po ecën po ecën po ecën … po bëhet rruga për në Himarë, po bëhet rruga Porto Palermo, mbaron drejt shtatorit rruga Shën Vasil në Sarandë. Është vërtet… për njeriun që e do turizmin dhe e njeh turizmin është vërtet shumë-shumë impresionuese. Për këtë them turistët, kur të vijnë, vetë Presidenti i Shoqatës Botërore të Turistëve tha tekstualisht para kamerave: Jam i impresionuar nga puna që bëhet në infrastrukturën turistike në Shqipëri. Detyrimisht turisti që vjen këtë vit mund ta ketë në Jug edhe pak të vështirë edhe për pak kohë, në sensin e udhëtimit, por ka njerëz që prapë janë të apasionuar dhe mbas udhëtimeve deri diku të vështira. Ama që të rikthehet përsëri, që ta mbajmë, unë nuk kam fare frikë sepse dihet që tashmë shqiptarët i gjejnë rrugët e tyre, përveç zgjerimit të kapaciteteve, që po ecën, i gjen edhe duke aplikuar turizëm familjar, edhe duke i organizuar hotelet rreth tyre, shtëpitë për të marrë dhe për të strehuar turistë. Por ka edhe një gjë tjetër që turisti sot nuk është më… turisti i huaj nuk është më turisti që vjen dhe rehatohet për 15 ditë si dikur në një vend. Turistët tani janë dhe turistë shumë të lëvizshëm. Turistë… përjashto turistët familjarë që janë edhe ata, të cilët lëvizin siç e thashë… turistë amerikanë vijnë të vizitojnë disa vende, mbërrin një ditë në Tiranë, supozojmë në Sheraton, shkon një ditë në Durrës në Adriatik, shkon një ditë në Vlorë ku ke dhe “Bologna”, ke dhe “Internacional”, ke rreth 98 hotele, i ka vetëm Vlora. Njerëzit nuk i dinë, ne i kemi me statistika. Pastaj mund të zbresin dhe në Sarandë. Të kalojë një natë në Butrint. Pra në 4-5 net ky viziton, shikon tërë Jugun ose bën të atë linjë që e kam këtu unë, tek turet. Që unë e kam përfshirë në një tur të veçantë. Këto janë 10 turet e Shqipërisë për kuriozitet. Unë e kam përfshirë në një tur të veçantë gjithë Gjirokastrën, Sarandën, Butrintin, Antigonenë të gjitha këto janë të tëra të përfshira në një tur që është turi i 9-të apo i 10-të i Shqipërisë. Dhe janë 10 ture që fillojnë që nga Valbona e deri në jug. Këto do ju shpërndahen të gjithë ambasadave tona jashtë dhe njëkohësisht do i shpërndahen tërë agjencive turistike që kemi këtu. Të tëra këto janë një material promocional që turistin tani di se ku e çon. Përveç faktit që ka web-sit-in, përveç faktit që kemi promovuar në CNN, përveç faktit që kemi botuar Albanian turizëm që është rreth 500 faqe. Të tëra këto e orientojnë dhe di ku të shkojë edhe vitin që vjen, përveç faktit që turistë ka shumë në botë.
Zoti Ministër, Shqipëria ndodhet mes Greqisë, Italisë, Kroacisë… por edhe Malit të Zi. Me çfarë i konkurron në turizëm Shqipëria këto vende që kanë një traditë, të hershme dhe të konsoliduar në fushën e turizmit?
Atëherë Greqia… dhe kjo është bindja ime jo vetëm personale, por edhe e specialistëve të Organizatës Botërore të Turizmit Greqia, Qiproja dhe Turqia kanë shumë për t’u ndjekur, sepse kanë një histori zhvillimi, madje është interesante ta shikosh se si kanë shkuar, hap pas hapi. Kanë pas edhe ato dështimet e tyre, fjala vjen zhvillimi i turizmit në Turqi ka kaluar në 3 apo 4 dekada, në të cilat edhe ka dështuar. Madje ligji që neve kemi pasur në ‘92-shin ‘93-shin ka qenë model, ligji turk, por edhe ata nuk e aplikuan dot në fillim me sukses. Ke parasysh qiranë 99 vjet për tokën… pastaj patën bum të resorseve, në vitet ‘90 filluan. Nuk është punë e lehtë kjo sepse ka të bëjë me pronësinë, me mentalitetin. Pra këto janë shembuj për mua për tu ndjekur. Para nja 3-4 javësh nënshkrova me ministrin turk të Turizmit marrëveshjen e zhvillimit, dhe pres investitor turq, pronar rizortesh, të zonës së Kemerit, të zonës së Antalias, që të vijnë këtë muaj. Greqia dhe Qiproja është vërtet një shembull fantastik, domethënë kanë vetëm statistikisht 4 turistë për një banor. Domethënë kanë një përqindje nga më të lartat në rajon dhe kanë zhvilluar turizmin domethënë, kanë pas parasysh zhvillimin e qëndrueshëm që quhet. Pra ruajtjen e terrenit, pasurisë natyrore, ekologjisë, pasurisë kulturore, praninë e burimeve njerëzore, të gjitha këto që i kemi në strategjinë tonë neve 7-vjeçare, dhe njëkohësisht një fokusim në infrastrukturë të të gjitha spektreve në shërbim të turizmit, sepse e kanë dhe ato turizmin prioritet. Janë vende kryesisht turistike. Kurse Kroacia dhe Mali i Zi… jo se dua të bëj unë këtu anti-propagandë, por është e thënë nga… thashë specialistë të mirëfilltë që tek Mali i Zi është problem i madh stanjacioni sepse aty ka një ndërhyrje shumë të madhe të rusëve, dhe ka blerje tokash, por jo për investim, ka blerje hotelesh, por jo për investim dhe për zhvillim, por ka thjesht për t’i hipotekuar. Dhe kjo ka sjellë një lloj frenimi. Po të shikosh unë kam në faqen time në internet kam vazhdimisht oferta nga Mali i Zi, oferta që quhen oferta të kërkuara, nga qeveria e Malit të Zi, për të investuar, që shpërndahen në tërë botën… në mjaft zona që kanë… Unë nuk mund ta krahasoj kurrë Budvën supozojmë edhe me Durrësin, në çfarë aspekti? Durrësi ka një traditë si plazh… dhe sado që ne mund të kemi disa probleme në Durrës, Budva nuk mund të krahasohet as me pjesën e rërës që ka, as për gjerësinë që ka në Durrës, as për shtrirjen që ka Durrësi dhe për bukurinë e gjirit të Durrësit. Budva ka disa hotele, madje dhe shtëpia dy-trekatëshe përballë… por Durrësi është shumë i zhvilluar. Pa dyshim dhe Vlora… por ka…
Ndalemi pak tek infrastruktura, ju përmendët që Shqipëria është një atraksion turistik për shkak se ka plazhe të virgjëra në Jug, s’ka pasur infrastrukturë, ka pasur baza ushtarake, tani s’ka më baza ushtarake…
Një pjesë është kjo… Karaburun, Sazan, Orikum.
Çfarë masash keni marrë që të mos përsëriten gabimet që kanë bërë të tjerët dhe të mos kalojnë ndërtuesit e Tiranës dhe të Durrësit dhe ta kthejnë edhe këtë zonë siç është Tirana dhe Durrësi apo Golemi?
Kjo është një tezë interesante që e ka hedhur Lubonja mesa mbaj mend unë dhe e përsërit vazhdimisht, mirëpo kjo është njësoj sikur të thuash… do jap një shembull interesant, në qoftë se keni dëgjuar amishët, e kam përmendur dhe tek libri im “Amerika”. Amishët janë një sekt shkuar nga Holanda në Amerikë që para 4-5 shekujsh dhe që ruajnë dhe vazhdojnë të ruajnë jetën baritore. Nuk lejojnë as të hyjë elektricitetit në fshatrat e tyre, nuk lejojnë të hyjë as telefoni, pra vazhdojnë të punojnë…
Edhe në pyjet e Amazonës u gjetën ditët e fundit një…
Është tjetër gjë… ajo është prapambetje, kurse këta jetojnë në kushte shumë të mira, janë goxha fetar dhe nuk lejojnë… ka qenë një film i Harrison Ford, aty tregohet jeta e tyre. Janë dy janë në Lankaster janë dhe në një zonë tjetër në pranë Atlantës Giorgias. Këta në fakt nuk jetojnë keq, sepse këta përfitojnë nga progresi dhe zhvillimi, por ndërkohë brenda qarkut të tyre e ruajnë këtë lloj pastërtie. Megjithatë vlejnë, kanë një vlerë muzeale, por nuk janë… jetojnë vetë sepse duan vetë të jetojnë kështu. Por nuk janë ajo që ne duam të kemi për turizmin, që të jetë edhe atraksion, që të ruajmë edhe ambientin, por të jetë dhe burimi më i madh i të ardhurave siç ka qenë vitin që shkoi me rreth 1 miliardë euro. Dhe ne duke e pas prioritet pa dyshim që aspektin ekonomik e kemi primar përveç të tjerash. Pra turizëm i qëndrueshëm, por edhe të ardhura. Dhe sensibilizimi i komunitetit (që është një nga detyrimet që kemi në strategji) për të parë se çfarë benefitesh ka turizmi për ta zhvilluar…
Më lejoni t’ju ndërpres, ne bëjmë fjalë për një rrezik konkret real, ne nuk po arrijmë të kontrollojmë dot territorin. Rasti i Ksamilit… rasti i Sarandës… çfarë garancish ka që nuk kopjohen dhe nuk kthehen në këto zona?
Aty do të dal dhe faleminderit që ma kujtove, sepse duhet folur për të. Dhe ç’ndodh tani? Neve kjo është sfida që kemi, projekti i Bankës Botërore për tre vjet e gjysmë nuk lejoi që në këtë zonë të rivierës tonë të mrekullueshme të bëhen ndërtime dhe pavarësisht nga ndërtimet pa leje, të cilat as diskutohen që janë kundër dëshirës sonë dhe që herë pas here ka pasur prishje dhe do të ketë prapë. Ne nuk kemi lejuar pa mbaruar ky projekt. Dhe ky projekt është pa dyshim një nga projektet më të mira që është bërë për Jugun sepse është një projekt joklientelist, siç qe ai i atij folësit të tavolinave. Është një projekt që tregon ku nuk duhet ndërtuar, është një projekt që ruan ekologjinë, ruan monumentet e kulturës dhe lejon zhvillimet varietet e turizmit për të mos pësuar as eksperiencën e hidhur të vendeve të tjera, por dhe për të mos lejuar as atë që ka frikë Lubonja që zhvillimi do të sjellë edhe shkatërrimin. Sepse në qoftë se unë… supozojmë në Himarë, i kam dhënë një sugjerim, sepse gjithmonë është pushteti lokal dhe komuniteti që do të vendosë. I kam bërë një sugjerim, zhvilloni edhe turizmin familja, turizmi familjar e ruan jashtëzakonisht shumë mirë mjedisin. Keni parasysh në bregun e Ohrit në Maqedoni. Për shumë dekada ka pasur turizëm familjar, ku mund të gjeje dhe me 8 dhe me 10 marka gjermane të asaj kohe, dhoma për të bujtur. Në këtë sens neve e kemi në dorë ta mbajmë të tillë. Por është e vërtetë ka pasur ndërtime pa leje, në ato zona që thatë ju dhe në zona të tjera. Ka pas edhe në breg të detit në Velipojë, dhe për këtë arsye në një mbledhje qeverie dy javë përpara është urdhëruar krijimi i njësisë së veçantë që …
Pse po kthehet në traditë që ndërtimet pa leje t’i prishim në prag të sezonit turistik dhe jo gjatë sezonit të dimrit. Është rasti i Velipojës, rasti i Durrësit, rasti në Pogradec…?
Unë këtë e dëgjova… e them me sinqeritet e dëgjova dhe në një emision që u fol. Po këtë gjë thonë dhe për infrastrukturën, nuk është kjo. Kjo është mbarë vjetore. Prishje ka pasur. Por zhurma bëhet më e madhe në sezon turistik, dhe dëgjohet më shumë kur vjen sezoni turistik sepse atëherë bie më tepër në sy. Domethënë… ja po të them një rast unë ty: prishet tek pema e thatë… që ne e kemi dërguar edhe në Zelandën e Re për të treguar monumentet e kulturës në pjesën e Ksamilit, janë bërë vjet në periudhën e dimrit. Nuk është që janë bërë vetëm në verë, tani po ka një përqendrim të madh, sepse dhe dyndja u bë më e madhe dhe tani duhet që vërtet të merren masa. Pra…
Ka raste nëpër qytete që edhe tri herë është prishur një ndërtim i pa ligjshëm dhe ende ka një lloj presioni mjaft të madh për të vijuar me to?
E theksoj … këtu ka një lloj, ta themi domethënë troç. Ka një lloj papërgjegjshmërie dhe niveli të ulët të njerëzve, të cilët pa dyshim shikojnë një interes të tyrin imediat, një interes të tyrin egoist dhe personal për të betonizuar disa zona, por që unë kam këtë bindje absolute që këta nuk i gëzojnë dot këto. Domethënë është vërtetuar jo vetëm në Shqipëri, por edhe kudo në botë që kudo ku ndërtohet pa leje, kudo ku ndërtohet kundër kritereve, kudo ku shkelen standardet, kudo ku ka vandalizma vjen një moment dhe ai, ata nuk e gëzojnë dot atë. Edhe ligji që do kalojmë tani i turizmit i amenduar ditën e enjte në Parlament, parashikon masa të jashtëzakonshme karshi të gjithë atyre njerëzve, të cilët në vend që të zhvillonin turizmit, kanë shitur apartamentet e kështu me radhë. Ai që i ka blerë apartamentin pa dyshim ideja e qeverisë tonë është ta marri tokën, ta blejë sepse në fund të fundit ka një copë tokë mbi të cilën është ngritur shtëpia apo i gjithë pallati dhe në fund të fundit atë nuk mund ta heqësh ai ka paguar, ai është një i tretë. Por për të gjithë njerëzit që kanë shkelur kontratat, për të gjithë këta investitorë që shteti i ka hequr taksat, doganat, për të gjithë këta njerëz, të cilët kanë pasur tendencë, kanë pasur detyrim zhvillimin, ku kanë bërë një investim duhet të bënin edhe rrugën, dhe i kanë shkelur këto, madje kanë akaparuar edhe copa të toke të tjera… për të gjithë këta amendamentet e ligjit të turizmit kanë ligje shumë të ashpra. E theksoj edhe një herë…
Nuk është problemi tek ligji… ligji mund të jetë mjaft i mirë, por implementimi i tij?
E pra këtë po theksoj, këto janë fenomene që … jo se e them për justifikim, kanë ndodhur dhe në vende të tjera, por gjithmonë ka ardhur një moment i cili gjithmonë i ka bërë të mos i gëzojnë këto që bëjnë. Shiko po ju them dy shembuj… Tiranën e cila në një periudhë të caktuar pati probleme shumë të mëdha me kioskëzimin dhe Parisin, i cili është shembur dy herë dhe rindërtuar. Pse i përmend këto… thjesht jo sepse krahasohemi. Por sepse është e paracaktuar që vjen një moment, sido që të vijë puna këta njerëz, e jap këtë edhe si sinjal, si paralajmërim, vjen një moment këta njerëz vërtet tentojnë ta shkatërrojnë natyrën, të bëjnë të godasin rëndë atë që ne e quajmë zhvillim i qëndrueshëm i turizmit, që është një nga bazat e strategjive të turizmit kudo në botë edhe ke ne. Pra që të ruash vlerat që ke natyrore, vlerat kulturore dhe të zhvillosh harmonikisht turizmin. Këta janë goditësit më të rëndë, por këta do të penalizohen më rëndë. Dhe e theksoj dhe një herë, ky fenomen ndodh sepse ne jemi… ju e dini në dy vjet e gjysmë ne po forcojmë shtetin ligjor, por forcojmë… po japim forcë goditëse gjithnjë e më të madhe dhe përveç kodeve legjislative do të forcojmë dhe implementimin e ligjit. Prandaj quhet dhe njësia speciale. Por është… po e them edhe një herë me bindje të plotë, e kam thënë dhe në komisionet parlamentare që herët ose vonë dhe ka ardhur momenti që këta njerëz të goditen.
Dhe çfarë do t’i bëhet një pallati mbi 20 kate në mes të Sarandës?
Duhet të kemi parasysh këtë gjë… është theksuar që ata që e kanë marrë ose janë futur në ato zona, të cilat nuk mund të flasësh më për turizëm, fjala vjen një pjesë e plazhit të Durrësit që është kthyer lagje e Durrësit, aty pa dyshim që ai që e ka blerë dhe që e ka në fund të fundit apartamentin e ka paguar për të, pa dyshim që këtu është menduar që të paguajë dhe të blejë dhe tokën, nuk ka pagesë qiraje, por në shumë raste të tjera që janë zona të tëra ku ka ndërtime masive ose ndërtime pa leje si fjala vjen bregdetet në Velipojë, aty pa dyshim që nuk është e dhimbshme fare t’ia shembësh. Dhe ka pasur dhe shembje, ka pas dhe në Durrës ju e dini. Ka pas dhe në Velipojë, ka pas dhe në Ksamil dhe do të ketë dhe shumë më tepër. Ka pasur dhe do të ketë. Fjala është këtu që aty ku ndërtimet domethënë… Siç janë dhe pallate mbi dhjetë kate, apo nën dhjetë kate në buzë të detit në Golem. Në qoftë se ka pallate të këtij lloji domethënë, unë nuk… mua nuk më duket e dhimbshme të shemben kurrë. Absolutisht…absolutisht…edhe 20 kate sikur të jenë. I vjen një ditë edhe atyre…në qoftë se janë të tilla s’diskutohet. Sistemi i Velipojës e theksova… njësoj janë edhe këta. Në qoftë se janë të tillë do të shemben pa dyshim.
Një slogan i vjetër i dikurshëm, në kohën e komunizmit ka qenë “Shqipëria, shkëmb graniti në buzë të Adriatikut”. Sot po përpiqemi ta bëjmë “shkëmb turizmi buzë Adriatikut”. Çfarë efekti mendoni se kanë dhënë spotet publicitare që janë transmetuar që nga data 7 prill e këtij viti në CNN?
Shumë të madh, unë e shoh lidhur në kompleks me zhvillimin e Shqipërisë, domethënë problemi i turizmit është problem mbarë qeveritar. Pse e them këtë? Sepse të vijë Presidenti Bush këtu, të marrësh ftesë për anëtarësimin në NATO, të ndihet gjithnjë e më tepër që Shqipëria po bën progres, të shkojmë në forumin e ministrave 4 ministra në Londër dhe të paraqesim domethënë ku janë asetet tona për të investuar bota, ministri i Ekonomisë, ministër i Transporteve, Punëve Publike, ministër Turizmi. Të shikosh që në Shqipëri gjithnjë e më tepër kuadri legjislativ forcohet, që bëhet një revolucion fiskal, që ka gjithnjë e më tepër luftë kundër korrupsionit që ka një lëvizje të madhe për ndërtim infrastrukture, që je gati për të kandiduar për Komunitetin Evropian, të gjitha këto në kompleks kanë shtuar shumë besueshmërinë dhe të gjitha shkojnë në favor të turizmit. Pse? Në Marok unë kam marrë sinqerisht, aty kam marrë njoftim që erdhi ftesa për anëtarësim në NATO, dhe unë kam marrë urime nga ministrat, sa e thashë këtë si ministër Turizmi, përveç si qeveri, sepse ata e dinë çfarë atuje është për turistin. Kurse një profan del dhe thotë apo shkruajnë: “Pse çfarë kujtojnë këta se duke ardhur më shumë ushtar në Shqipëri do të vijnë më tepër turist?”. Në qoftë se e koncepton kështu anëtarësimin në NATO është vërtetë profan. Vetëm ideja që ka turisti, që ky vend është…
Është në jetë i sigurt, dhe fakti është që ne vjet s’kemi pasur asnjë rast incidenti apo aksidenti turistësh në Shqipëri, nga ata 2 milionë. Pra, në këtë sens unë them që Shqipëria me këtë spot që bëri në vijimësi të të gjithë këtyre, i dha edhe një tjetër gjë të huajve. 44 milionë shikuesve, që ja që ka një Shqipëri të cilën ju s’e keni njohur, ja që ka një imazh të mrekullueshëm të një Shqipërie turistike të cilën ju duhet ta njihni dhe të cilën nuk e keni njohur edhe për mungesë promovimi. Por edhe për faktin se nuk i ka pasur këto mundësi që ka sot për të ofruar edhe sigurinë, për të ofruar edhe infrastrukturën më të mirë, për të ofruar edhe faktin që po shkojmë gjithnjë e më tepër drejt Komunitetit Evropian. Unë po ju them… takimi i fundit tani ishte në Greqi. Takimi i ministrave të kulturës, dhe ndofta në fjalën time pjesa që është vlerësuar më shumë nga ministrat homologë ka qenë po ja u them shkurtimisht idenë: Ne flasim i thashë për dialog interkulturor. Nuk mund të flasim kurrë, kurrë për dialog të vërtetë interkulturor në qoftë se nuk njohim mirë njëri-tjetrin. Dhe po ju them zotërinj, ju thash që ne ende nuk e njohim mirë njëri tjetrin, dhe pse e them unë këtë ju thash… sepse vjet pjesa më impresionuese për mua, për mua si ministër kanë qenë intervistat e turistëve grek. Të cilët erdhën në Shqipëri, kanë qenë dy agjenci që i kanë sjellë nga Selaniku dhe deklaruan: “Shqipëria paska mrekullira turistike, Shqipëria paska monumente kulture si ne – thanë grekët – dhe paska bukuri natyrore si e jona”. Në këtë sens thashë, grekët ne nuk na njihnin ende që i kemi fqinj, po ju të tjerët ju thash? Dhe ju drejtova ministrave të tjerë. Në këtë sens unë e theksoj, spoti ka vlerë dhe spotet që do të vazhdojnë edhe në “Euro News” kanë vlerë të jashtëzakonshme sepse ne mendojmë që njihemi, por ne duhet të bëjmë 10-fishin e para që të njihemi, dhe e dyta për ta shkatërruar një herë e mirë atë imazh të keq që është krijuar nga e kaluara për Shqipërinë. Dhe ka ende me miliona që Shqipërinë nuk e njohin mirë. Ne kujtojmë se kemi bërë… absolutisht prapë ka njerëz të cilët thonë: po lexoja diku dhe këtë e proklamojnë me të madhe…këtë… përshtypjet e një farë ruseje që na paska vizituar Shqipërinë, dhe këtë na e boton një gazetë, një e përditshme dhe thotë: ja ç’mendojnë të huajt për ne. E para ky është një nga mbipërgjithësimet më idiote që mund të bëhet. E dyta kjo rusja nuk përfaqëson as ndonjë personalitet, dhe as një njeri që është kaq i aftë që mund të njohë Shqipërinë me një udhëtim. E di ç’thoshte? Teksualisht e di pse e them?
Atë artikull e kam lexuar edhe unë do ndalemi për…
E di çfarë thoshte… në Shqipëri ka makina të vjedhura! O zonjë këtu në Shqipëri ka ngritje standardi të tillë që mjaft nga shqiptarët sot blejnë makina të reja. Kanë qenë dikur të vjedhura. Në këtë sens unë them si ka mundësi që ne përgjithësojmë ndonjëherë ca impresione të disa njerëzve që nuk e njohin fare Shqipërinë. Atëhere t’i luftojmë!
Për më shumë se një orë zoti Ministër kemi folur për turizmin. Sa për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar zë turizmi në Shqipëri?
Ende ne jemi në një shifër do të thosha të 4 apo 4.5 %, por tendencat prapë në strategji, dhe synimi është që të shkojmë shumë shpejt në një periudhë brenda afatit të strategjisë për të shkuar edhe te 12 dhe ke 13 dhe ke 15 dhe ke 20%.
Ku do t’i kaloni pushimet sivjet?
Unë e kam të përhershme Shqipërinë, domethënë që i vogël po s’vizitova disa nga plazhet gjatë verës e kam të pamundur. Po unë nuk kam bërë pushime vjet si ministër i Turizmit, unë kam bërë vetëm uikende, të shtuna të diela. Të shtuna dhe të diela… dhe këtë vit kam idenë që unë do të bëj vetëm të shtuna të diela, që shkoj dhe për efekt pune për të parë çfarë bëhet po edhe lahem. Madje kam filluar. Po ta shikosh nga ngjyra kam filluar… domethënë unë e filloj hershëm, e filloj që në maj. Po thashë pushime nuk bëj. Udhëtimet jashtë pastaj kur janë udhëtime të tipit zyrtar, kur gjej rast si tani për shembull në Greqi, edhe i shfrytëzoj. Kombinoj pushimet me këtë. Por që një ministër Turizmi me thënë të drejtën në periudhën e pikut të turizmit nuk ka pushime. Kjo është diçka e pathënë, e pashkruar, por që domethënë vetëkuptohet.
10 June 2008 @ 10:21 am
O PANGO.
Po ate pallatin me te shemtuar ne bote qe eshte ndertuar mu ne mes te Sarandes, a ta mban me e prish. Atje tregoje vehten, ti dhe Sala se sa te forte jeni, mos e tregoni me fshataret e Jalit qe ushqejne familjet duke u sherbyer pushuesve ne bregdet. E kthyet Jalin ne germadhe more, s’ka njeriu ku te pije nje gote uji te ftohte.
10 June 2008 @ 11:12 am
Turistet e huaj ne Shqiperi
Edhe nga kjo interviste e Ministrit kuptojme se vendin tone vazhdojne ta vizitojne thuajse vetem Shqiptaret.
Po te bazohemi tek shifrat e tij kemi:
1. 2 milione vizitore gjithesej gjate vitit 2007
2. 1 milione nga keta jane emigrante Shqiptare qe kthehen prane familjeve te tyre
3. 400 mije prej tyre jane qytetare Kosovare
4. 180 mije prej tyre jane Shqiptare dhe Kosovare me pasaporta greke, serbe, etj.
5. 200 mije jane Maqedonas, sipas te gjitha gjasave Shqiptare te Maqedonise
6. 220 mije jane nenshtetas nga vendet e tjera te botes, kategori ne te cilen mund te fusim:
a) Shqiptaret qe kane marre nenshtetesi te tjera
b) bashkeshortet e huaj te emigranteve Shqiptare
c) femijet e emigranteve Shqiptare te lindur jashte atdheut dhe/ose me nenshtetesi te huaj
d) te huajt qe punojne ne Shqiperi
e) te huajt qe e vizitojne Shqiperine per arsye pune (jo per turizem)
Po ti zbrisnim shifres 220 mije keto kategori jam i sigurte se kokoshi i Pangos do te katandisej nje thele.
Plus pastaj qe duhet konsideruar edhe nje aspekt tjeter me rendesi qe eshte numri i diteve qe secili nga keta turiste kalon ne Shqiperi.
Sepse nje gje eshte te kesh 100 mije turiste te huaj qe e shkelin Shqiperine per disa ore (si udhetare krocierash, apo vizitore tranzit turesh Ballkanike) dhe tjeter te kesh 100 mije turiste qe e zgjedhin Shqiperine si destinacion dhe kalojne aty 1 jave - 10 dite.
Turistet ditore shpenzojne vetem nje grusht te vogel me monedha xhepi, per te blere ndonje kartoline, per ndonje pije freskuese apo per ndonje dreke sporadike. Ndersa ata te tjeret paguajne hotelin, makinat me qera, dreka, darka, guida turistike, bileta muzesh e keshtu me rradhe, duke kontribur realisht dhe fuqishem ne ekonomine e vendit.
Fakti eshte se Shqiperia, ndryshe nga TE GJITHE fqinjet e saj PA PERJASHTIM, nuk eshte ende ne gjendje te terheqe turistet e huaj.
Keshtu p.sh., ne panairin e madh te Milanos (Borsa Internazionale del Turismo, BIT) te cilin e vizitova kete vit TE GJITHA vendet ballkanike me perjashtim te Shqiperise, pra, Turqia, Greqia, Rumania, Hungaria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia kishin pavjonet ose stendat e tyre. Kjo per faktin e thjeshte se keto vende kane nje oferte turistike per tregun perendimor, gje te cilen Shqiperia nuk e ka.
10 June 2008 @ 11:53 am
Ndertimet barbare me leje e pa leje
Gjate femijerise sime kam patur fatin e jashtezakonshem te frekuentoj shpesh nje nga plazhet me te mrekullueshme te Europes, ate te Shkembit te Kavajes.
Kilometra e kilometra te tera bregdet me rere te bardhe, te imet e te paster.
Uje qelibar, i tejdukshem deri ne thellesi, ashtu sic kam pare me vone ne plazhet e Costa Azzurra-s franceze.
Det me nje faune marine jashtezakonisht te pasur, mjaft t’ju permend kolonite e qindra miliona midhjeve qe popullonin nenshtresen ranore, gaforret e vogla te panumerta qe dallget sillnin ne breg, tufat e qefujve, koceve, dentaleve, levrekeve, pellumbave, shtizave e sa e sa specieve te tjera qe jetonin praktikisht prane bregut.
Pylli i jashtezakonshem me pisha, qe ju ofronte pushuesve prehje e freski edhe ne oret e zhegut.
Me pak fjale nje ekosistem i persosur, fare prane, si distance nga qendrat e medha urbane si Tirana, Durresi, Kavaja, por edhe Berati, Fieri, Lushja etj. etj.
Kjo pasuri e madhe kombetare ka shkuar sot plotesisht per lesh.
Dhe kjo per faktin e thjeshte se:
Pylli me pisha eshte shpyllezuar, per t’ju bere vend monstrave prej betoni (ka mbijetuar nje numer i vogel ekzemplaresh anemike e te pluhurosur)
Pjesa me e madhe e reres eshte grabitur diten me diell gjate viteve per te ndertuar monstrat prej betoni.
Monstrat prej betoni jashteqesin direkt ne det, duke qelbur ujin dikur nga me te pastrit dhe me fantastiket ne Europe, me largim apo zhdukje konseguente te faunes marine.
Monstrat prej betoni, qe shtrihen tanime nga Durresi ne Bishtin e Palles, kane modifikuar natyrisht edhe skyline-in e bregut, keshtu qe, pamja dhe sensacioni viziv nga shezloni ne breg te detit eshte praktikisht i njejte me ate qe ke kur ben banjo dielli te pishinat ne mes te Tiranes.
Pra, permbledhtazi, nje plazh qe kishte uje te paster, rere te imet, pyll me pisha, pamje fantastike eshte shnderruar sot ne nje vend me uje te zi ku te vjen krrupe te lahesh, rere te zeze (te qelbur), pisha gri nga pluhuri, beton dynjaja dhe pamje prej metropoli aziatik.
Lubonja shkruante se ky fat i madh po u troket ne dere edhe brigjeve te jugut… .
Kur kjo te ndodhe athere po qe do te shtohet numri i turisteve te huaj… .
10 June 2008 @ 12:00 pm
student, nje korrigjim i vogel; plazhi i durresit dhe edhe ai i shkembit te kavajes, ne pergjithesi adriatiku dhe bile, i gjithe deti mesdhe me gishtat e tij konsiderohen nga studiesit ne unanimitet si tmerresiht te varfer nga pikepamja e faunes. Nejse, nuk ja heq thelbin diskutimit.
10 June 2008 @ 12:14 pm
Shiko, jam dakord me ty, po eshte ceshtje relative.
Nuk po argumentoja se Adriatiku eshte shume i pasur, aq sa te konkurroje, le te themi, me barrierat e koraleve te Paqesorit, apo faunen e Detit te Kuq.
Ideja ime eshte se bregu jone i Adriatikut dhe i Jonit, duke mos qene masivisht i ndotur nga mbetjet industriale ishte relativisht i paster dhe i pasur me ate faune qe kane Adriatiku dhe Mesdheu ne pergjithesi.
Si te them, Mesdheu mund te mos jete i pasur me faune marine ne vetvete, por kjo nuk e hedh poshte faktin qe ne brigjet e Sardenjes noton ende foca monaca dhe breshkat e ujit, kurse ne ato te Liguries se industrializuar nuk te ze syri asnje peshk per be.
Ketu ta kisha fjalen edhe ne rastin e Shkembit te Kavajes.
Dikur bregu ishte i populluar nga midhjet, gaforret, peshqit e specieve te ndryshme, pra maksimumi i mundshem ne kuader te faunes tipike te Adriatikut. Kurse sot…maksimumi peshkon ndonje fekale.
Dhe mendoj, hajdedé t’ja kishim sakrifikuar natyren e bregut zhvillimit industrial. Po tek ne, paradoksalisht, eshte shkaterruar per te ndertuar turizmin!!
10 June 2008 @ 12:30 pm
bere mire qe e vazhdove diskutimin, dhe une pikerisht aty e kisha tek relativizimi. Nga ana tjeter, ne bregdetin e jonit (nuk e di ate te adriatikut) eshte gjuajtur me dinamit ne menyre te cmendur, dhe jam shume kurioze te di ne se ka ndonje studim qe tregon se si ka ndikuar ky aktivitet ne faunen e Jonit.
Ne Jon ka disa nishe ekologjike shume interesante, te superpopulluara me specie te ndryshe, ne largesi shume te vogel nga bregdeti. Arrihen me not, me nje tub ajrimi te thjeshte. Eshte nje mrekulli aty posht, nje bote tjeter. Cuditem pse nu ki ka vajtur mendja njeriu t’i pedori keto pika si qendra atraktive per turizmin. Jo vetem per te rriturit por edhe per femijet. Keto nishe, i dine vetem disa njerez; nuk do ishte keq te beheshin harta ku te tregoheshin keto pika dhe, te perdoreshin, nen mbikeqyrje per te mos i prishur.
Ne Ligurie, afer Gjenoves, nje nga ofertat me interesante eshte nje udhetim me anije qe te con ne nje nish ekologjik ku shef delfine dhe balena. Eshte nje mrekulli, nje ide gjeniale. Gjithmone e prenotuar, bile duhet te prenotosh dite perpara.
Ne ligurie nuk te ze syri peshk, por ama te mbushet syri me kandila deti. Tufa te tera. Tmerr!
10 June 2008 @ 2:18 pm
Ne Shqipri vijne Turiste…..bile keta tani quhen Vizitore …..bile bile ne te gjithe boten keta quhen Njerez qe Levizin…..
:P
:P
Kemi prishe edhe ne dimer por ne behar bie me shume ne sy…..
Kemi tubacione po s’kemi uje…..kemi tela po s’kemi drita…..kemi qafa e shtigje po s’kemi rruge….kemi MINISTRI po s’kemi ….
Hajde Minister Turizmi HAJDE !!!!!!!!!!
10 June 2008 @ 5:55 pm
Po.. Po.. i prish Pangoja ndertimet ne bregdet..ndonje kasolle nga ato qe mbajne shalqinet do ta prishi nuk ka dyshim por per ndertimet e medha qe eshte investuar nga subjekte private, sipas ligjit te xhungles i bie qe eshte Pangoja i pari qe do prishet ne pantallona.Intervisten e ka dhene te bukur e me nuanca Amerikane..permend bile edhe amishet…tjetri ja kthen per Afriken..nejse..ska shume rendesi ..rendesi qe Pangoja ka qene nja 6 apo 9 muaj ne Amerike e keshtu me “pasqyra” u ble “token fiseve vendase”.
10 June 2008 @ 6:41 pm
Atje po shtojne kate te tjera, ky thote do prishen . Tani do i prishi qe eshte ne vitin e fundit te qeverisjes? Apo do te mbledhe ndonje leke me kete rast.
10 June 2008 @ 6:54 pm
zoti pango para nje viti tha te njejten gje per lokalet prane monumenteve te kultures, brenda kalave, prane objekteve te tjera turistike etj. Me justifikimin “zyrtar” se jane prane monumenteve, ministri paralajmeroi se do largoheshin te gjithe. “Harroi” vetem nje gje: qe kishin kontrata me shtetin dhe qe nuk mund te hiqeshin prej andej. Por ministri nuk e kishte problemin tek e hequra e lokaleve. E kishte tek menyra si do reagonin. Dhe menyra ishte ajo e pritshmja: sa te bridhnin gjyqeve, pronaret u perpoqen te hynin ne kontakt me sekseret e ministrise dhe ata gjendeshin fare kollaj. dy tre prej tyre ishin botues e drejtues gazetash, si njeri p.sh qe shet 50 kopje gazete, por megjithate i lejon vetes luksin te festoje ditelindjen ne hotel riz te parisit me mbi 60 te ftuar. Dhe gjoba qe lokali te vazhdonte te rrinte aty ku ishte, ishte 50 mije euro. Dhe historia tregoi qe asnje lokal nuk u leviz nga vendi. Te shohim tani sa do jete gjoba per lokalet qe “duhet te prishen ne breg te detit”