Replay

replay.JPG

Erdh vjeshta

Erdh vjeshta e verë s`pat,
U nisën të shtegtonin zogjtë po s`ditën ku,
Fluturuan mekur, u lagën,
U tulatën strehëve hutuar e mbetën këtu

Erdh vjeshta e rreze s`pat,
Hije nuk mbollën pemët, njerëzit, muret,
N`pasqyrë të saj nuk u panë,
Harruan kush qenë e u mekën po ashtu

Erdh vjeshta, na gjeti fillikat…

-

Replay

Kur zbrazesh, dritat shuhen, spektatorët dalin,
aktorët kanë ikur, atëhere fillon drama

Në fund të shfaqjes, kur të afërmit duke qarë
do marrin trupin tënd të ngrirë, nxjerrin jashtë,
Ti nuk do kesh lëvizur fare, dritat fiken prapë,
Filmi fillon nga fundi, kësaj rradhe mprapsht,
Portieri të jep paratë, ti atij biletën, ai e ngjit,
Shkurtohesh, zgjohesh në gjumë, bie në zgjim,
Prindët ngrihen nga varret, harron një fjalë të re,
Dielli perëndon në lindje, shirat ngjiten në qiell,
lumenjtë rrjedhin në burim, do vjellësh bukë, gji,
nuk do ecësh dot më, do qash, shalët e nënës,
ju lidhin bashkë, të fusin brenda, lëviz, embrion,
ndahesh më dysh, portë, hapembyllje, kyç,çelës,
do trokasë duke dalë përsëritja, e ardhmja, fati,
spektatorët që mbushin dalëngadalë sallën

Ne jemi publiku të thonë aktorët
kur të bie vilani e nuk hap dot gojën,
Dhurohen lule, puthen, duartrokasin,
Të ulin poshtë me litarë, skenë tjetër,
“Përgjigju kur të pyesin shkurt, po ose jo”-
thotë hetuesi e ndez për vete një cigare,
“Mirë”- thua ti e bën gabimin tjetër:
“Ku jam këtu?”, Dëshmitarët qeshin,
Qenka komedi mendon e qesh dhe ti,
Të qethin, masin, të japin teshat e reja,
të lidhin sytë, errësire, të pyesin - “Mirë?”,
“Jo”- murmurit ti e ke një parandjenje,
Si nuk e vura re që janë me uniformë?

Sipari hapet ndërsa skena ndriçohet ngadalë,
Të shtyjnë e bie nga barku i avionit
fillimisht si gur, më vonë hapet parashuta,
Qindra kërpudha të bardha, poshtë blu,
Kërkon një ishull, një copë vend, një pemë,
Ndjen që zhytesh gjithnjë e më shumë,
Po tani ç`do bëjmë pa gjymtyrë e mish?
Në qiell tani ja, çfarë mbeti? Veç frymë,
që shuhet në mjegull, pushim, pritet tani
me padurim akti u fundit, katharsis

Fli, nuk ka gjë, se të tregoj unë ç`ndodhi,
Mos ma thuaj fare, dihet fundi i tragjedisë,
Krah për krah dalim të heshtur nga teatri,
Na është bërë zakon mërzia, ecejaket,
Skenë ku rrimë e presim në fillim të shfaqjes
na shohin, i shohim, dalim, përsëri hyjmë ,
dyer, korridorë, perde, kapakë, hapi sytë,
Kaq, tani kam rradhen unë të provoj maskën

-

Film

“Dikur bota do të jetë muze,
Çdo gjë do të jetë monument,
Bebet do lozin me kryevepra,
S`do ketë lexues, veç poetë

Njerëzit do jenë gjithnjë të rinj,
Askush i shtrembër a gungaç,
Vetëm Helena dhe Davidë
do qarkullojnë n`atë parajsë

S`do ketë kafshë që s`shkojnë
Minj, gjarpërinj a krokodilë,
Veç sorkadhe, lopë, pallonj,
E gjelbërim në shkretëtirë

Ç`të të zërë syri veç perfeksion,
Muzikë hyjnore dhe dashuri,
Të gjithë njëlloj do të mendojmë,
Krushqit do të shkojnë në varrim..”

“Jam i verbër”- the .Mbamë!
“The end” si amen në ekran.
Prekëm tjetrin e qamë,
Katarsis ndoshta.

Jashtë film tjetër,
Shtëpive shfaqet
Adami dhe Eva,
Gjarpëri dhe molla.

Kameras lotë,
Pa fund ky thriller
me ose pa Zot,
Kinema bota.

Dritë e terr,
Asgjë tjetër,
Gjallë jemi?
Aktorët e vdekur.

Dy jetë para, pas,
Si gjetur,humbur,
Komedi a dramë?
Ca qeshin, ca qajnë

Bashkë prapë,
Vetëm si gjithnjë,
I paanë ti ndaj,
Ne 1.70m e ca

Mërzia,
Krimb në man,
Na ha fletët e vjell mëndafsh

U lodhëm
me ditë e natë,
Sillna Mesiun,
po pa shpatë
Të qajmë barrët
e qeshim të vdekurit,
Kokëposhtë varur, si Pjetri

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

13 Komente

  1. reni…… thotë:

    16 October 2008 @ 8:24 pm

    …sa e lodhshme………….

  2. karmapolitick thotë:

    16 October 2008 @ 9:12 pm

    o mirazho na knaqe! replay ier më pëlqeu shum.

  3. krasta krau thotë:

    16 October 2008 @ 10:05 pm

    Replay ishte… e papare…

  4. Perparim Hysi thotë:

    16 October 2008 @ 10:30 pm

    Bukur Mirazh dhe”kinema eshte bota”…sikur i ke thene te tera.

  5. california_dreaming thotë:

    16 October 2008 @ 11:34 pm

    shum e bukur fotografia

  6. enka thotë:

    17 October 2008 @ 1:48 pm

    replay ishte rrenqethese! shume bukur

  7. Blendi Salaj thotë:

    17 October 2008 @ 3:16 pm

    Komplimenta. Replay ne vecanti me la shakull.

  8. Idris thotë:

    17 October 2008 @ 3:30 pm

    “”"”"”Krushqit do të shkojnë në varrim..””"”"
    Kaq mjafton te perfshije mijra faqe “parajse” Danteske , miljona ofshama te “pervuajturish” . Thenie per volume titujsh e librash.
    Ndoshta bej gabim por asgjekundi nuk kam lexuar nej sinteze te tille per mirqenien.
    Per drejtesine po. “Drejtesia lulezon atje ku gjyqtaret vdesin nga uria !!!
    Por keshtu si Mirazh jo . Nik mjaft domethenes per kete lloj perfytyrimi. Shpesh kalimet ne vargje te “merziteshme” kapercyes nga njeri mendim tek tjetri si te palidhur tek ..Replay…te japin perfytyrimin e nje ‘mirazhi”
    gje qe rregullohet shume bukur me gjetjen :
    “”"Kaq, tani kam rradhen unë të provoj maskën”"”"
    Sic duket hallakatja shume e gjere ne fusha krahasimore te shpije ne “perla” te tilla shume domethenese!
    E vecante per ty pelqyer Mirazh….por jo gjithnje :)

  9. losttext thotë:

    17 October 2008 @ 4:51 pm

    i loved replay-n! dhe pse ideja s`eshte shume origjinale, kombinimi i fjaleve, gjendjeve, makthit, vetironise dhe fatalitetit, jane. I had the impression of falling down a wormhole. Flm!

  10. vlonjati thotë:

    18 October 2008 @ 2:04 pm

    replay my fav.

  11. Pjer Thomas thotë:

    19 October 2008 @ 9:30 am

    Bukur, veç mu duk si nje rryme e re poezie.

  12. akll thotë:

    20 October 2008 @ 6:18 pm

    dy vargjet e para të “replay” më pëlqyen veçanërisht shumë.

    mirazh, a janë të botuara poezitë tua në formë libri?
    gjithësesi, falemnderit që i ndan me ne.

  13. artian thotë:

    20 October 2008 @ 6:42 pm

    Shume te bukura poezite..
    Vjeshta shume e keqe i dashur po dimri kur te vije dimri ?

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com