Rinia jonë dhe olimpiada

Nga Fatos Lubonja (Korrieri, 30 gusht 2008)

Olimpiadat kanë qenë dhe mbeten ngjarje të mëdha botërore multidimensonale, jo vetëm sportive, por edhe politike edhe mediatike edhe komerciale… edhe gjeografike, sepse të bëjnë të njohësh, madje të prekësh me dorë tërë botën, të ndjehesh qytetar i saj. Megjithë kontradiktat, e tillë ishte edhe kjo e Pekinit.
Mund të ulesh të shkruash për olimpiadën duke e parë në të gjithë këto fusha e të tjera. Por ajo që më uli të shkruaj për të ishte një ngacmim që më kthehej e rikthehej teksa ndiqja garat e ndryshme sportive.
E tregon edhe titulli: rinia jonë dhe olimpiada.
Ajo që personalisht më godet gjithnjë e më shumë në olimpiadat, sa më shumë kalon mosha e shtohet numri  i olimpiadave që më jepet rasti të ndjek nëpërmjete ekranit televiziv apo të kinemasë (për mua kjo histori ka filluar me një film mbi olimpiadën e Romës të vitit 1960) nuk janë më kampionët e mëdhenj, as momentet e bukura të jashtëzakonshme agonistike, as shumësia e  medaljeve që merr njëri vend apo tjetri. Sigurisht këto kanë vendin e tyre, por ajo që më ka mbresuar gjithnjë e më shumë në olimpiadat e fundit që kam ndjekur, ashtu sikurse edhe në këtë të Pekinit, është shumësia e sporteve që ushtron qënia njerëzore. Sepse vetëm në një olimpiadë sheh të mblidhen thuajse të gjitha sportet: futboll, basketboll, volejboll, waterpol, not, atletikë, gjimnastikë (kaq shumë disiplina në këto tre të fundit) hedhje nga trampolina, kanoe, kanotazh, vela dysh katërsh, mundje boks, xhudo, tenis, pingpong, skermë, çiklizëm, hipizëm, gjuajtje me pushkë me rrathë, me pjatel … nuk i numëroj dot të gjitha dhe nuk i di të gjitha. Kam përshtypjen se edhe fjalët në shqip nuk i kemi për t’i shenjuar e diferencuar të gjitha.
Nuk mund të mos mbetesh gojëhapur duke parë se sa kreative është qënia njerëzore, edhe përsa i përket sportit; por edhe përpara faktit që nënkupton kjo shumëllojshmëri: se sa shumë pasion dhe energji njerëzore derdhen në këto sporte.
Në fakt, sportistët që shohim në ekran në Olimpiadë janë vetëm maja e piramidës, ata që kanë dalë nga një seleksionim i gjatë që edhe frymëzojnë shumë të tjerë. Por nën ta, në vendet prej nga vijnë, duhet të imagjinojmë një numër shumë shumë herë më të madh sportistësh, pafundimisht më të madh. Pa ta nuk do të kishim as Olimpiadë. Dhe tek ata qëndron, për mua, mrekullia e vërtetë e sportit, ndoshta sporti i vërtetë. Sepse në thelbin e vet sporti nuk bëhet me synimin për të dalë në pedanat e medaljeve; ai bëhet sepse është një pasion, një kulturë, një mënyrë për t’i dhënë kuptim jetës, për të njohur veten, për ta forcuar atë si fizikisht edhe mendërisht, për t’u shoqërizuar, solidarizuar etj.
“Çfarë bëjnë kafepirësit e bllokut? - më pyeste me chat nga SHBA një mik që po e ndiqte edhe ai olimpiadën - është turp, gjithë rinia në botë merret me diçka pozitive, tenis, ping-pong, çfarëdo sporti, janë aktivë për mjedisin dhe çështje të tjera. Ata tanët i ke gjithë ditën e mbarë nga një kafe/bar tek tjetri.”
Ishin edhe fjalët e tij që më nxitën të shkruaj këto rradhë.
Nuk e vuaj aspak skarcitetin e rinisë sonë në olimpiadë nga këndvështrimi i një nacionalisti. Sigurisht do të ishte e bukur edhe emocionuese të shihje ndonjë kampion shqiptar në podium teksa ngrihej flamuri ynë. Por jam kundër manipulimit nacionalist të sportit ashtu sikundër jam kundër komercializimit të sporti, kur gjithshka shndrrohet në para. Këto janë një tjetërsim i tij. Ndoshta shembulli më sintetik i këtyre të dy aspekteve ishte organizatorja e Olimpiadës Kina, ku pamë sportistë të prodhuar në laborator enkas për të afirmuar superfuqinë e re botërore dhe reklama gjigande me fytyrat e sportistëve milionerë kinezë, agjentët e të cilëve nuk bëjnë kontrata më pak se një millionëshe. Po ashtu nuk më shkon ndërmend se një vend i vogël si i yni mund të konkurojë me vende me një popullsi të madhe sepse në ato vende ka më shumë mundësi të dalin talente. Por ngulmoj se këtu nuk është as çështje konkurimi, tek e fundit, ndonëse nuk mund të mbetesh indiferent kur sheh se ka shumë vende më të vegjël se ne që garojnë me dinjitet, madje ngjiten edhe nëpër podiume medaljesh. Për mua çështja kryesore është ajo e kulturimit dhe edukimit sportiv, e zhvillimit të pasioneve për sportin, per të gjetur e shprehur veten nëpërmjet tij, për të derdhur energji në mënyre pozitive, për të krijuar shoqëri, solidaritet e me rradhë. Sepse sporti është një nga mënyrat më të shëndetshme për të zhvilluar potencialitetet pozitive të njeriut, për të zhvilluar edhe shpirtin e garës, por edhe solidaritetin dhe sakrificën për grupin, disiplinën dhe autodisiplinën, por edhe forcën fizike e mendore për të pasur një jetë me shëndet me gjallëri me sociabilitet dhe më me kuptim gjatë gjithë jetës.

Pse tek rinia jonë mungojne të gjitha këto, apo janë kaq të mangëta? Pse ne na duken  sikur vijnë nga një botë tjetër, si marsianë, sportistët që shohim në olimpiada. Ne fakt jane homo sapiens si ne, dykëmbësh dhe dyduarsh si ne. E gjithë diferenca qendron ne kulturën, edukimin sportiv që kanë.  Nuk është kjo as çështje race e as çështje prirjesh, paçka se u tha se xhamajkanët i kanë fibrat muskulore superiore për garat e shpejtësisë. Po ku ishin deri dje xhamjaknët? Pse nuk fitonin?
Olimpiada e Pekinit vetëm sa m’i ngacmoi këto mendime. Në fakt nuk ishte skarciteti i tanëve në Pekin, por ajo që shoh përditë të ndodhë në Tiranë e gjithë vendin tonë me sportin dhe raportin e rinisë sonë me të, që më nxitën të shkruaj këto rradhë. Sepse shoh me dhimbje për rininë dhe me revoltë ndaj atyre që duhet ta drejtojnë atë se ne, në vend të sporti kemi zhvilluar lojën e bixhozit me sportin; se kemi me qindra vende bastesh, por jo fusha sportive, me qindra kafe, por aq pak palestra; se ne lajmet kryesore që lidhen me sportin tek ne nuk mbizotërojnë rezultatet e mira, por shitjet e ndeshjeve nga sportistët tanë, se pikat e referimit për rininë tonë nuk janë sportistë të shquar, por trafikantët e drogës dhe prostitutave që bredhin të patrazur e të kapardisur mbi BMW X5 në rrugët e Tiranës.
Ku janë Agim Fagët, Panajot Panot, Asllan Rusët e Zhani Bonatët kampionët e çiklizmit si Agalliu të notit të boksit, që edhe në terrin e diktaturës inspironin me pasione pozitive rininë? A duhet thënë se komunizmi investonte më shumë sepse e përdorte edhe sportin si imazh? Pjesërisht kjo është e vërtetë, por këtë e hedh poshtë fakti se në vendet tona fqinje ra komunizmi, por shohim përsëri serbët, sllovenët, kroatët të dalin nëpër podiume. Ndiqja para disa kohësh një intervistë të numrit një të botës në tenis serbes Ivanoviç që tregonte se, në mungesë fushash tenisi, gjatë dimrit ishte stërvitur në një pishinë bosh që nuk funksiononte për shkak të mungesës së ujit të ngrohtë. E megjithatë një tjetër serb gati sa nuk i rrëmbeu në pishinat e Pekinit medaljen e arit njërit prej yjeve absolute të olimpiadës, amerikanit Phelips. “Kur ekziston një vullnet i madh - thotë Makiaveli - nuk ekzistojnë vështirësi të mëdha”.  Jo, ky skarcitet i të rinjve tanë nuk është as çështje të hollash as çështje sistemi as çështje race; është çështje kulture e cila i jep jetë tek i riu pasionit që ushqen e forcon pastaj edhe vullnetin.
Ku janë politikat e Ministrisë së Kulturës Turizmit dhe Sporteve? Ku janë politikat e Ministrisë së Arsimit. Kërkund. Jo, u gabova: ata ua kanë lënë në dorë punën e sportit, ashtu sikurse edhe shumë punë të tjera, bosëve tanë të biznesit. Janë ata që drejtojnë sportin tonë dhe politikat tona lidhur me sportin. Por, nga sa më rezulton mua, këta nuk i ka çuar atje dashuria për sportin. I ka çuar biznesi, veshja e figurës së tyre dhe e bizneseve të tyre me një kostum të mire publike. Kryetari i delgacionit tonë të vogël olimpik është një ish sportist, vërtet, por biznesin e tij sëbashku me ish basketbollistin Rama, sot kryetar bashkie i Kryeqytetit, nuk ka sportin, por, përkundrazi, shndrrimin e fushave të sportit, por edhe të teatrove dhe të parqeve në ndërtime fitimprurëse. Kurse, për ironi, mesa di, fëmijët e tij nuk po rriten në Shqipëri, por jashtë shtetit, atje ku ka shumë fusha sporti dhe shumë parqe, gjelbërim, teatro e kinema. Ministri ynë i Kulturës dhe Sporteve Ylli Pango, ka qenë edhe ai sportist, notar i mirë si bregdetas që është, por në vend se me ruajtjen e plazheve të bregdetit ai merret me kthimin e tyre në fshatra  turistike, që në shqip do të thotë ndërtim vilash e hotelesh private për 1 përqindëshin e të pasurve shqiptarë, që do tu pakësojnë edhe më fëmijëve tanë mundësinë për të pasur kontakt me detin e për t’u bërë notarë.
Varfëria e jetës sonë sportive, e pasioneve të rinisë sonë për sportin është një nga simponat e krizës së vlerave të një shoqërie ku kultivohet vetëm një pasion: ai i lekut të fituar lehtë, pa punë, pa studim, pa mundim, pa sakrifica, pa solidaritet, pa ndershmëri. Rezultati duket në të gjitha fushat: një katastrofë kulturore dhe shpirtërore e pashembullt e njeriut shqiptar të cilit mburrja me pasurinë dhe dëfrimi me të i mbeten thuajse e vetmja ndjenjë. Dalja nga kjo krizë është punë e vështirë. Njohja e problemit nuk mjafton, por nëse ai ndjehet seriozisht atëhere ka më shumë mundësi të gjinden rrugët. Dhe rrugët, sipas meje, duhet të fillojnë me ndërtimin e një sistemi tjetër vlerash që njeriut njëdimensional shqiptar, të orientur vetëm nga leku, t’i hapen horizonte vlerash të tjera. Dhe ushtrimi i sportit, pasioni e dashuria për të, janë një nga më të bukurat e këtyre vlerave.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

7 Komente

  1. sol-nox thotë:

    31 August 2008 @ 6:51 pm

    hhh dhe si gjithnje ngre nje problem teper te drejte dhe teper te lene pas dore…

  2. Pjer Thomas thotë:

    31 August 2008 @ 7:42 pm

    Problemi eshte kapur mire nga Lubonja, veç une parashikoj se me zenien e fushave te sportit qe ka kohe qe vazhdon nga ndertuesit dhe me mos investimin ne sport per femijet dhe te rinjte, sportet e ndryshme ne Shqiperi, kane per te degraduar me shume/teper. Mendoj se duhen marre masa dragoniane ndaj ndertuesve, per te mos i zene dhe ato pak fusha (te degraduara tashme) qe kane mbetur. Ndertuesit mund te hidhen dhe ne veri per te ndertuar pallate, pse vetem ne Tirane, Durres, Vlore.
    Lubonja kishte shum te drejte dhe per ate artikullin e betonizimit te plazhit te Durrsit. Pse synohet vetem vetem aty, a nuk mund ti zhvendosi bashkia e Durrsit, firmat e ndertimit me ne veri te Durrsit, matane Currilave.

  3. Luçi thotë:

    31 August 2008 @ 10:02 pm

    Ministri ynë i Kulturës dhe Sporteve Ylli Pango, ka qenë edhe ai sportist, notar i mirë si bregdetas që është, por në vend se me ruajtjen e plazheve të bregdetit ai merret me kthimin e tyre në fshatra turistike, që në shqip do të thotë ndërtim vilash e hotelesh private për 1 përqindëshin e të pasurve shqiptarë, që do tu pakësojnë edhe më fëmijëve tanë mundësinë për të pasur kontakt me detin e për t’u bërë notarë.

    Ketu e ke dhi Lubonje. Kot me kot per zotin. E cer lidhje ka zhvillimi i turizmit me notin o burre. Po pse mer, u mbaru deti ee ? Po trecereku i plazheve jane bere tmerr mer nuk do njeri as me shku, jo ma me notu. Po ku ta gjesh te behen resorte e te rregullohen, qe mileti (me teper se 1% ta garantoje) mos ti coje leket ne Turqi.
    Nxitja per tu marre me sport dhe rregullimi i bregdetit, madje dhe i Tiranes nuk lidhen aq fort sa thu ti. Se sporti mekohet qe ne femijeri, qe ne shkolla e ne grupime kalamajsh. Shkolla eshte baza, dhe shkollat i kane ende ne dispozicion nje pjese te ambienteve. Pse nuk kthehet ne shkolla tradita e klasave sportive, e kampionateve periodike ne baze rrethi e kombetare, pse mos funksionojne ekipet zinxhir, te shkollave e gjer te universiteteve ?? Nuk i kursen njeri leket per kalamajte. Kerkoni dhe mbeshtetjen e prinderve dhe jam e sigurte qe do kontribuonin me sa te mundnin. Le te behen gjys publike e gjys private skema, shkollat te vene ne dispozicion fushat dhe palestrat pasditeve, e instruktoret le ti paguajne prindet. Shkollat jane institucione te besueshme, dhe mund te mbikqyrin me sukses nje proces te tille. Do ti bente mire kalamajve, dhe vete shkollave. Aktivitetet jashte-mesimore duhet te kthehen brenda ambienteve te shkollave dhe jo neper apartamentet e mesuesve private. Te kthehet piktura, baleti, sporti, teatri, kenga.
    Pastaj pasaniket le ti cojne kalamajte ne kurse private tek per tek, pianoje dhe kantoje, tenisi dhe noti. Por kushtet minimale duhet te fillojne te krijohen brenda shkollave.

  4. ThoughtPolice thotë:

    1 September 2008 @ 12:15 am

    E ka trajtuar mire olimpiaden/sportet dhe raportin e rinise shqiptare me to, Lubonja. Eshte mekat qe gjithe ai mal te rinjesh, me energji, per kete jam i bindur qe nuk ka mungon, te ule te prapmet pothuajse ne pjesen me te madhe dhe me produktive te dites vetem ne kafene dhe bare. Sic e ka cekur edhe Lubonja, nuk jane faktor determinues kushtet dhe financimet e medha per te bere dhe marre me sport, por dembelizmi dhe enderra per pasurim te shpejte pa pune te madhe. Kjo gje ushqehet fort edhe nga modelet e keqija qe ofron media. E keni vene re qe u derrmuan ca gazeta duke nxjerrur cdo dy dite ne faqen e pare te gazetes Zani Caushin (jep intervista aty dhe bile jep dhe mend)?! Ca te tjera merren gjeresisht dhe ne detaje me ish banoret e BigBrother-it, ne cfare zone te plazhit apo pishine u lane, sa puthje shkembyen dhe cfare bejne naten.
    BBC ka nje program te titulluar “Olympic Dreams” qe ka filluar dhe jepet per nje kohe te gjate ku merret me atletet qe po sterviten per te fituar medalje, jo ne keto lojra qe kaluan, por ato te ardhshmet qe do mbahen ne Londer pas 4 vitesh. Ky program jep veshtiresite, kohen qe shpenzojne ne stervitje, progresin etj. te atleteve. Keto lloj programesh mungojne ne mediat shqiptare.

    Shkurt nuk eshte cdo gje sex, drugs & rocknroll, por duhet keshtu me raste edhe sporti.

  5. spiritus thotë:

    1 September 2008 @ 9:07 am

    Eeee Fatos.E keqja eshte te kultura dhe mentaliteti i kesaj kohe.Te “kultura” e Bllokut, aty ku rinia “djeg” kohen rreth filxhanit t e kafese ose ndonje RED BULL-i ,duke folur vetem per seksin dhe skandalet e blue-tuth.
    Prej te mencurve te lashtesise na vjen thenia “”Ne se do te jesh i bukur/vrapo, nese do te jesh i shendetshem/vrapo…
    Kishim edhe terrene sportive, te cilat me pak para dhe shume deshire, mund te ishin bere moderne, ashtu sikurse po behen(duhet thene!) disa terrene te pakta nga Bashkia .
    Por ai mentaliteti antikomunist qe bashke me ujin efelliqur te hedhi tej edhe foshnjen dhe kjo grukesia per te zaptuar cdo pellembe te mjedisit publik-na ka cuar ne kete situaten mjerane te betonizimit dhe …Qeshu Rini/ vegjeto ke Blloku…

  6. strangeMAN thotë:

    1 September 2008 @ 10:04 am

    Luçi, a sidoqoftë emri juaj,

    Përgëzimet e mija për përdorimin brenda të njëjtës temë, madje edhe brenda të njëjtit koment të fjalëve: dhj*s, për Zotin, rregullim i bregdetit, traditë, shkollë, institucion, pikturë, balet, kanto, teatër.

    Spektri i mendimit tuaj është i admirueshëm. Duke u shprehur në lidhje me çdo temë me koloritin tuaj juve i rrisni nivelin këtij blogu kolektiv. E them këtë pa ju kërkuar replikë, pa lidhje fare me temën dhe me shpresën që adminët të më mirkuptojnë.

    Përshëndetje!

  7. Luçi thotë:

    1 September 2008 @ 10:12 am

    ë ?

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com