Seksi dhe politika

Lorenc Vangjeli (Mapo)

Nuk dihet se kush e ka thënë i pari, por me siguri, në shishen me mesazh të MAPO-s, kjo fjali proverbiale nuk do të mbyllet për herë të fundit: “Politika është si seksi, e rëndësishme nuk është të fitosh, por të marrësh pjesë!”. Martin Leka, gazetari veteran i shtypit të shkruar e konsideroi një gjë të tillë menjëherë si provokim të revistës për shumicën dërmuese të politikanëve shqiptarë, të cilët kurrsesi nuk do të ishin dakort me një slogan të tillë antielektoral në këtë vit elektoral. Ai mendoi se do të ishte e udhës që fraza në mos të fshihej dhe të mos publikohej, të paktën t´i jepej publikut në mënyrë të censuruar ose të ndryshuar. Propozimet që nisën të vërshojnë në redaksi, ndërkohë që gryka e shishes mbeti e hapur si një gojë mishtore, varionin në forma nga më të çuditshmet dhe fantastiket. Më e përsëritura e tyre ishte ajo që e shihte politikën dhe seksin si të barasvlefshme, në të cilat ishte njëlloj e rëndësishme si pjesmarrja, si fitorja në të. Puritanët, partizanë të ndalimit të shprehjeve të forta në median e shkruar, përfshi edhe fjalën seks, pretenduan në të kundërt se nuk kishte asgjë të mbarë që këto dy vlera të shoqërisë njerëzore, nuk afronin asnjë vlerë nëse përdoreshin për mesazhin e rradhës të revistës MAPO dhe se ishte më mirë që ato të mos krijonin asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Kurse për një pjesë tjetër kritikësh, në rastin shqiptar, ato pak kishin të bënin me qytetarin. As Rudina Xhunga, gazetarja që ka shkruar libra me seks politik dhe drejton emisione televizive nuk kishte një mendim të përcaktuar për këtë problem të ngritur rishtaz, kurse në viset e politikës aktive, ishte e pamundur të gjendej një qëndrim përsëmbari. Ylli Dylgjeri tha me telefon se do të dërgonte një poezi të vjetër të retushuar, që në thelb do të zëvendësonte frazën mëkatare me vargje të llojit: “O Selam, ja bëre fora, ç´të sheh syri, ta bën dora!”, por vargjet e tij u konsideruan si shumë provokative, të drejtpërdrejta dhe madje edhe fyese. “Ti do të thuash se seksin politikanët tanë janë në gjendje ta bëjnë duke u mbështetur në forcat e veta, si dikur ekonomia jonë socialiste siguronte bukën dhe kulturën në vend”? pyeste Martin Leka. Duhet thënë se në të vërtetë ai e pëlqeu poezinë, por e kundërshtoi sepse ajo u recitua nga Dylgjeri dhe jo nga vetë ai. Një tjetër gazetar, një analist i shquar që marrëdhëniet me seksin, për shumë e shumë vite deri në martesë i kishte të trashëguara po nga metoda socialiste e mbështetjes në forcat e veta, duke u rrotulluar dhe kavardisur sërish me 300 fjalët e fjalorit të tij, tha në mënyrë autoritare se në PD dhe qeverinë e PD-së seksi nuk njihej fare. Sipas tij kjo ishte dhe arsyeja që PD kishte dështuar në qeverisjen e vendit, kurse socialistët ishin më të ndjeshëm dhe liberalë.
I gjithë debati për frazën me seks dhe politikë përfshiu dhe Ben Andonin. I qetë dhe cinik, kështu do ta quante një koleg i tij nga tavolina përballë, Beni tha diçka që në fillim i la me gojë hapur pjesmarrësit e debatit dhe pastaj i dha edhe vetë debatit një drejtim krejt të paparashikuar. “Nuk përmendet litari në shtëpinë ku i varuri lëkundet ende si lavjerës”. Pas këtij momenti, litari nisi të tërhiqej në disa vise të çuditshme, që kishin të bënin me ndryshimin për mirë dhe evolucionin pozitiv të politikës shqiptare. Me cilësinë e shënimmbajtësit në diskutim, autori i këtyre rradhëve kërkon me shpresë që historia nesër të mbajë shënim që dhe ai ishte kontribues i dorës së parë në recetën revolucionare të përgatitur. Me pak ndryshime në formë, në thelb debati kishte të bënte me mënyrën sesi seksi do ta bënte politikën më të mirë. Sepse për të mbërritur deri në pjesmarrje në shtrat ka një procedurë gjithsesi jo standarte: njohje, fjalë të mira, kafe, premtime, buzëqeshje, prekje, krijim fryme mirëbesimi, dialog e debat, kompromis, fshehtësi dhe transparencë, reciprocitet e kështu me rradhë. Ca veti që mungojnë në zyrat ku prodhohet politikë. Sidomos tek ajo mes palëve luftarake shqiptare. Dhe mbas seksit – nëse gjithçka shkon mbarë – do të ketë sërish kërkesë për përsëritje.
Procesverbali i diskutimeve i mbajtur pa ndonjë besnikëri të dukshme nga autori, u firmos nga pjesmarrësit. Disa prej tyre firmosën me garancinë që të mos u përmendej njëherë për njëherë emri për shkak të problematikave personale dhe keqkuptimeve të mundshme që mund t´u krijoheshin në shtëpitë përkatëse. U vendos që në një moment të përshatshëm të dilej me një rezolutë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, gjithmonë për hir të Shqipërisë më të mirë, për hir të Shqipërisë normale. Vazhdoi kështu deri në momentin që teksti u mbylle në shishe dhe u hodh në bregdetin e Vlorës në një nga rrugëtimet e shumta të Benit për të shkruar reportazhe. Tamam në atë çast nuk u mësua dot se cili nga pjesmarrësit psherëtiu: Unë e di kush është hamshori më i madh shqiptar mbas Enver Hoxhës! Unë e di kush na i ka zbërthyer brinjët dhe na ka nxjerrë sytë jashtë në këtë vuajtje të ëmbël dhe të pafund tranzicioni! Ra heshtja. E sigurtë ishte vetëm që këtë gjë as nuk e dinte dhe as nuk e tha Rudina Xhunga.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. Luçi thotë:

    31 August 2008 @ 7:50 pm

    PSe i mshite meee
    Po ato japanezet kishin dale ene foto mer.
    Po cer thashe mer ?

  2. Artian thotë:

    31 August 2008 @ 7:59 pm

    Rudina xhunga,nje gazetare si te gjitha te tjerat,qe nuk update-in veten e tyre.,flake kashte,ndizen dhe shuhen shpejte perserisin veten,ja kjo eshte Rudina.
    Pale me picpillosjen si jane,athu si kur te jene Princesha ne dukje.,dy kile tualet i bejne fytyres,po gazetare mer jane ,gazetare.,dhe gazetare ashi qari nuk jane.C`na myti tongerlliku m`tirone.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com