“Të fshehtat pas kostumit të ndërkombëtarëve”
Gazeta Panorama
ANILA MEMA
Nëse Andre Gill, pak kohë më parë hodhi baltë me rreshtat e një reportazhi mbi Shqipërinë, “Një rrë-fenjë me ndërkombëtarë” është krejt e kundërta.
Romani i parë i shkrimtarit shqiptar, Ylljet Aliçkaj, rrëmon mes bisedave intime të tryezave me ndërkombëtarë, mes një takimi pas pune, të zbulojë atë të fshehtën, anën e tyre njerëzore. Pas kostumit firmato të zyrtarëve, personazhet e Aliçkajt janë po aq meskinë, të vegjël, nga çka mundohen të perceptohen. Është ky një realitet që shkrimtari e rrëfen natyrshëm, në 200 faqet e “Rrëfenjës me ndërkombëtarë”, botuar nga shtëpia botuese “OMSCA-1″. Ryszard Kapuscinski do e cilësonte këtë vepër si një dëshmi nga një letërsi e madhe, tepër argëtuese dhe njëkohësisht shpirtërore. Po kaq do të vlerësohej dje ky roman edhe nga personalitete të njohura të fushës së letrave dhe jo vetëm të letrave. Në një takim të organizuar në ambientet e “Hotel Tirana International”, nga Instituti i Dialogut dhe Komunikimit, “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” do të ndihej e përkëdhelur nga fjalët e mira. “Ajo që më ka ngacmuar më shumë ka qenë tendenca imazhnxirëse e një opinioni publik ndërkombëtar ndaj Shqipërisë”, shprehet shkrimtari, por duke theksuar se libri i tij nuk synon të bëjë përgjithësime të një realiteti. Ndërkaq së shpejti mund të shohim edhe një ekranizim të romanit, për të cilin autori ka nisur të hedhë rreshtat e parë të skenarit.
Nga tregimet, bëni një kalim në roman. Është i pari që hidhni në treg. U lodhët me tregimet, në roman shpreheni më shumë?
Erdhi radha për të bërë një roman, sepse kam bërë tregime, por nëpër shtëpi botuese brenda apo edhe jashtë vendit më thonë që romani preferohet më shumë. Ndoshta kanë të drejtë. Eshtë romani im i parë dhe pavarësisht suksesit që ka, po shoh që më tepër po i japin rëndësi anës provokative të tij, se sa asaj shprehje që dikush e tha edhe në takim, “Eshtë një roman i shkruar me elegancë”. Them se ka një sukses më tepër nga tema. Ndërsa për vlera artistike do e mat me botuesin jashtë. Botuesi jashtë do e shohë, a ka vlerë apo nuk ka vlerë ky roman, sepse këtu falë sensacionit që po ngjall ai po shitet mirë.
Personazhet ndërkombëtarë janë realë apo fiktivë?
Personazhet janë krijesa të autorit, janë fiktivë. Romani mbështetet më tepër mbi fenomenet, se sa mbi personazhet. Janë më tepër personazhe zyrash, përfshi personazhin kryesor Roshin. Janë personazhe me vogëlsitë e tyre, meskinitetin, që zënë pjesën më të madhe. Ata nisin pa koment në portretizimin e tyre, jepen në aksion. Më pas i lihet lexuesit për të gjykuar sipas këndvështrimit të tij. Por një gjë duket qartë, që autori është më tepër i intriguar nga aspekte të jetës së brendshme dhe intime të personazheve, gjë që është pjesë e natyrshme e letërsisë. Në pamje të parë duket sikur autori tallet, por në të vërtetë nuk është partizan i idealizimit të tyre. Sa më tepër ta njohësh njeriun, kudo qoftë, aq më tepër zbulon tipare që çuditërisht ngjallin habi në opinion. Njeriu është më meskin se sa duket, nga sa perceptohet. As gjykoj e as paragjykoj personazhe. Në fund të fundit është qëllim i artit që realiteti të jepet ashtu siç është. Dhe këto gjëra i janë ngjizur mjaft mirë personazheve të romanit, që janë një mesdhetar, një kopshtar, Roshi, luksemburgezja, irlandezja, me parimin që shefi duhet të informohet për gjithçka, një nëpunëse me kombësi vendase dhe shpirt perëndimor, një spanjolle baske, që shkakton skandal, sepse bie në dashuri me një vendas, një grek, i cili gjen vlera tek besa shqiptare, etj. Letërsia kam përshtypjen nuk duhet të ketë kufi dhe këtu ka keqkuptime më duket. Më tërheq ndonjëherë ana fun (zbavitëse) e humorit, nganjëherë e zezë fare më tërheq, të paktën nga përvoja që kam nuk duhet të ketë kufi tematika.
Sa ju ka ndikuar puna mes ndërkombëtarëve në njohjen e personazheve?
Asgjë nuk përjashtohet. Si duket informacionet hyjnë dhe e bëjnë punën e tyre. Unë kam filluar të punoj që në ‘91 me Drejtorinë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Ministrinë e Kulturës. Aktualisht punoj me ndërkombëtarë dhe nga ana artistike punoj me producentë të huaj, botues po të huaj dhe kam një shumëllojshmëri përvojash, eksperiencash, që me sa duket këto informacione më ndihmojnë. Gjithsesi dua të them se u ngacmova dhe shpeshherë më ka rrëshqitur dhe ndonjë mllef, sepse nuk përjashtohen mllefet personale, por kur lexon një shkrim të Andre Gill, apo të të tjerëve imazhnxirës për Shqipërinë, atëherë ngacmohesh. Nuk është roman i shkruar me emocionet e momentit, është roman i shkruar gjatë. Kam kohë që mblidhja materiale për të, për gati tre-katër vjet.
Ku qëndron pikëtakimi dhe kufiri ndarës mes shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve?
Po ta shohësh me vëmendje, nuk është se kam bërë ndarje. Unë nuk mbaj qëndrime dhe nuk kam sharë asnjëherë njeri hapur, as majtas e as djathtas. Detyra e një shkrimtari është të japë një gjë që sheh. Në të kam përfshirë edhe një dasmë shqiptare me dhjetë mijë lekëshe ballit, me orkestrën… Ky është realitet dhe nuk është se kam pasur ndonjë dallim mes kombësive. Titullin ia vura “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë”, por e them këtë edhe në sensin pozitiv dhe atë negativ. Një i huaj është qenie njerëzore me të mirat dhe të këqijat e veta, siç jemi të gjithë, edhe ne shqiptarët.
Si do ta përkufizonit një ambasador dhe një fshatar?
Siç mund të jetë një ambasador shqiptar në Suedi dhe një fshatar suedez, ashtu dhe një ambasador shqiptar në Francë dhe një fshatar shqiptar. Mirë e bëre pyetjen; ka më tepër ndarje shtresash, se sa kombësish dhe kulturash. Unë nuk mendoj se dallohet shumë një intelektual shqiptar nga një intelektual austriak. Për mua dallohet shumë një intelektual austriak, me një fshatar austriak ama. Ndoshta është më e ngushtë diferenca në Shqipëri, pastaj kjo është çështje kulturash, hierarkish, që dallohen.
Sa reagime keni pasur për këtë “rrëfenjë”?
Ka keqkuptime, ose më duken mua dhe ato mund të kenë të drejtë. Njeriu nuk gjykon dot për veten e tij. Por ka më tepër andralla se ç’e mendoja. Ky takim i sotëm më përkëdheli, sepse qe një pjesë e opinionit publik shqiptar, ishin ata, zëdhënësit e opinionit publik shqiptar që folën mirë. Në thelb çdo vend, institucion ndërkombëtar apo popull kërkon të njihet me problematikën apo identitetin e një vendi tjetër, në rastin tonë të Shqipërisë, sipas interesave apo shtysave të veta politike, ekonomike, morale e shpirtërore. Unë vë re një mospërputhje të madhe nga njëra anë e identitetit tonë real, në tërësinë e tij të koklavitur (fundja si e çdo kombi), apo dëshirës sonë për të afishuar në arenën ndërkombëtare atë identitet që na sjell më shumë dobi si komb dhe nga ana tjetër, aftësive pritëse apo thithëse të partnerëve institucionalë, politikë apo kulturorë ndërkombëtarë. Më shumë se sa deficiti demokratik, kjo është më tepër pasojë e një deficiti komunikues. A ka një masë që të vlerësojë diferencat kulturore për të kaluar për pasojë në pabarazitë, kur pranohet që çdo kulturë që bart vlera nënkupton edhe hierarkinë e tyre?
Sarkazëm e zyra gri
“Një rrëfenjë me ndërkombëtarë” është një roman, i ngacmuar nga imazhi alarmant që mbizotëron sot në një pjesë të opinionit ndërkombëtar për Shqipërinë e shqiptarët, i cili bëhet shkak zhgënjimesh e deziluzionesh jo vetëm në planin individual, por edhe pengesë në planin politik e atë institucional. Një roman zyrash ngjyrë gri, shkruar me sarkazëm dhe ironi, i cili i bën apel dinjitetit të nëpërkëmbur njerëzor nga burokracia, që e vë theksin mbi dukuritë dhe jo personazhet, mbi kulturën e nënshtrimit dhe zotërimit, mbi arrogancën. Personazhet e librit janë nëpunës vendas e ndërkombëtarë, shpesh anonimë në vendet e tyre, të cilët me të filluar punë në një vend në tranzicion, gjatë “lodhjes dhe rropatjes për të ndihmuar këtë vend apo për t’u treguar vendasve rrugën e përparimit” u merr kuptim të ri jeta, falë “përkujdesjes” së vendasve. Kurse në planin shpirtëror, kjo prirje shkon në favor të mendësive narcistike të tyre, si dhe dëshmon (vetëdëshmon) për “kurajon dhe heroizmin” për të punuar dhe “rrezikuar kokën” në këtë shkretëtirë”.
Të dhënat
Titulli: “Një rrëfenjë me ndërkombëtarë”
Autori: Ylljet Aliçka
Gjinia: Roman
Shtëpia botuese: OMSCA-1
Redaktor: Loredan Bubani
Faqe: 180
Çmimi: 500 lekë
Edhe film
Ylljet Aliçka tregon, se projekti më i ri është për të realizuar një film me subjektin e këtij romani. “Karriera kinematografike mendoj se po ecën më mirë. Ende nuk janë piketuar gjërat, por thuajse po mbaroj skenarin. Po e përkthej, sepse gjithmonë e bëj me bashkëprodhime, pa interes. Paraprakisht e kam ndjerë interesin e producentëve të huaj. Kam fokusuar ngjarjet e jetës së përditshme me një sens neutral”, tregon shkrimtari.
Shefi mesdhetar, letër pastrueses
E nderuar zonjë
Këtë radhë, me gjithë modestinë time të thellë, do të më duhet t’ju jap disa këshilla në lidhje me ca dukuri që kanë të bëjnë me përdorimin e solucioneve larëse e disa çështje të tjera të ngjashme me to.
Zonjë e nderuar,
Unë kam përshtypjen, madje do të thosha bindjen, se peshqirët e duarve duhen larë vetëm një herë në javë, pasi, po të lahen shpesh, konsumohen më shpejt, makina larëse konsumohet gjithashtu, shpenzohet solucioni me tepricë, shpenzohet ujë, elektricitet dhe, mbi të gjitha, ju ngarkon ju me punë suplementare. Nga ana tjetër, duhet pranuar se peshqirët e duarve ndoten shumë më pak se këmishët, p.sh. pasi në parim ata kanë një funksion tepër të përpiktë, për vetë faktin e thjeshtë se duart janë larë me ujë e sapun, dhe sigurisht, nuk është e thënë që po të jenë të lagura, janë edhe të ndotura. Unë do t’ju porosisja të njëjtën gjë për veshjet e brendshme, dua të them për ato intimet, për të cilat ju deklaroj hapur dhe me të madhe se ju keni tërë lejen time për t’i larë sa herë të shihni të arsyeshme dhe me sa më shumë detergjent.
Dhe së fundi do t’ju lutesha dhe për një gjë të vogël, të natyrës teknike: Ju lutem shumë të ndërroni sa më shpejt valvolën hyrëse, “antiretour” të bolierit. Jua kërkoj këtë gjë për shkaqet e mëposhtme: Sa herë që dikush në ndërtesën 12-katëshe (këtë e kam vërtetuar pas investigimesh), pra sa herë që dikush hap rubinetin e tij për të përftuar ujin e ftohtë, dmth. që ka nevojë vetëm për ujë të ftohtë dhe asgjë tjetër më shumë, unë kam të gjitha arsyet të them se ai përfton (vetëkuptohet pa dashje) nga uji im i ngrohtë!? Është e tepërt t’ju kujtoj se në këtë rast jam unë ai që paguaj energjinë elektrike për të ngrohur ujin e ftohtë të komshinjve të mi të mirë, kur ndoshta ata as që kanë ndërmend që nga rubinetet e tyre të ndjejnë t’u rrjedhë nëpër trup uji im i ngrohtë, në vend të ujit të ftohtë që kishin përfytyruar a shpresuar. Ndër të tjera, ky defekt provokon dhe ca hungërima therëse, hungërima këto që perceptohen lehtësisht në një rreze prej 100 m përreth ndërtesës sonë, në çdo orë të natës dhe që nga ana tjetër provokojnë tek unë shfaqjen e disa anktheve makabre (të cilat nuk janë të pakta edhe pa këtë ngatërresë akustike) dhe na zgjojnë si mua, ashtu edhe komshinjve të mi të mirë.
Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj (i cili nuk na ka munguar deri më sot) ju lutem pranoni, Zonjë e nderuar ndjenjat e respektit tim të sinqertë.
10 February 2007 @ 4:29 pm
peseqint leke nuk jane shume dhe per me teper duhet te jete interesant.
11 February 2007 @ 6:32 am
” Për mua dallohet shumë një intelektual austriak, me një fshatar austriak ama. Ndoshta është më e ngushtë diferenca në Shqipëri, pastaj kjo është çështje kulturash, hierarkish, që dallohen”…mire qe thoshte me siper se:”Unë nuk mendoj se dallohet shumë një intelektual shqiptar nga një intelektual austriak”,sepse do te kujtoja se thoshte se diferenca e ngushte intelektual/fshatare ne Shqiperi,do te thoshte per te qe intelektualet shqiptare jane fshatare
e.T,kur ta gjesh,merr nje kopje dhe per mua
500 lek jane te shkretat,s’bo burri ashtu dhe ti 