Vetëm për një natë - poezi

ËSHTË MËNGJES…

Nganjëherë të qëllon të flesh me gratë e të tjerëve
e një tjetër me tënden kushedi…
por ti mos u merakos për atë shenjë kafshimi në gushën e saj…
as për emrin e panjohur që ajo rënkon në gjumë…
as të kujt ishin duart që përkëdhelën ata gjinj…
Ndonjë natë të qëllon të flesh me gratë e të tjerëve
e një tjetër me tënden kushedi…
por tani është mëngjez dhe ajo fle lakuriq shkujdesur pranë teje
me këmbën mbledhur siç të pëlqen ty…

GRUAJA E TJETRIT

Kohë më parë ti grua e tjetrit,
fshehurazi…ëmbëlsisht fshehurazi,
bëre dashuri me mua
në krahët pa formë të ëndërrimit,
nën atë perëndim dielli mashtrimtar,
mbi atë krevat epshor “tuajin”,
ku unë i rastësishmi
u ndjeva fitimtar ndaj një kundërshtari të panjohur
mbi trupin tënd…
……………………………
Sot më shumë se kurrë,
ndjehem humbës,
një humbës me një kundërshtar të njohur-tët shoq
që cdo natë fshin gjurmët e fitores sime
mbi trupin tënd…
Me puthjen e tij indiferente,
me duart e tij të stërmësuara me format e tua joshëse,
me trupin e tij,
me organin e tij,
shkruan të plotë cdo natë
emrin e tij
A-T-J-E
ku unë në të rrallë
vetëm sa guxoj të hedh
një firmë të pakuptueshme…

VETËM PËR NJË NATË

Vetëm për një natë
do të bëja dashuri me ty,
grua e tjetrit
që ti të mësoje
se sa shumë ndryshoj unë
nga ai i yti…
Vetëm për dy netë
do të bëja dashuri me ty,
grua e tjetrit
që ti të mësoje se sa pak ndryshoj unë
nga ai i yti…
Vetëm për tre netë
do të bëja dashuri me ty,
grua e tjetrit
që ti të mësoje
përjetë
se unë nuk ndryshoj fare
nga ai i yti….
………………….
Por ti i di të gjitha këto,
ndaj bëhesh e imja
vec për një natë.

SAKRIFICË

Për ty grua u grinda
edhe me të dashurën time,
edhe pse me ty kurrë
s’jam grindur për të…
edhe pse për ty kurrë
s’i kam folur asaj …
edhe pse në xhelozitë e saj
ti kurrë nuk bën pjesë…
…………………….
Për ty grua sot u grinda
me të dashurën time
dhe veten pyes:
“ E c’mund të bëj tjetër për ty…? “

TË MOSVDEKSHËM

Eja të vdesim për hir të këtij funerali kaq të bukur.
Nuk është rradha jonë,
por kjo s’ka rëndësi.
Eja…rast tjetër më të mirë nuk do të kemi.
Nuk sheh se kanë sjellë priftin më të mirë?
Nuk sheh që kanë sjellë buqetat më aromëmira?
Nuk sheh si shndrin dorëza e florinjtë e arkivolit të praruar?
Nuk sheh që kanë sjellë varrmihësit më me përvojë ?
Nuk sheh se çfarë dhe i shkriftë e i ngrohtë avullon anës gropës?
Nuk sheh se sa shumë njerëz kanë ardhur sot këtu për lamtumirën e fundit?

Nuk do derdhin asnjë lot për ne.
Por ti mos mendo keq për ta.
E si do të mundnin?
Një jetë të tërë jetojnë pranë varrezës.
E ne një jetë të tërë pranë tyre…

Eja të vdesim për hir të këtij funerali kaq të bukur.
Mosvdekja nuk është pavdekësi…
Eja…
nuk është rradha jonë
dhe nga mallkimi i tyre ndoshta rradha s’na vjen kurrë…

aliteRACION ekSPERiMEntal corpORAL

perëndojnë penelatat e pendimit mbi penis…
vagabond i vagullt i vaginës tënde muzgu…
përlotja loton lotë mbi të lodhurin iris
si mbi murgeshën e mbrëmjes murgu.

teksa buza përflaket e buzkuqin përbuz…
teksa goja jote (për)gojon kafshëzën time përsëri…
teksa gjuhët e çartura përçartjen përçojnë
trurit tim të trembur ku etur tretesh ti…
atëherë shtrydhet lulja…
luleshtrydhja çahet…kullon…pikon
spërkatur stërpik qerpikun pikë-pikë…
……………………………….
është ëndrra ime në syrin tënd…
mos ki frikë.

©artangjyzelhasani

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

15 Komente

  1. HenaBlu thotë:

    19 September 2008 @ 6:56 pm

    Te kerkoja ne qiell, e te gjej tek peshku… pa uje per me teper :P

    Si gjithmone… shkelqyer…

  2. xhenius thotë:

    19 September 2008 @ 9:17 pm

    te kam then qe je i “ç’mendur bukur” por kete here me llogjike.fantastik!

  3. Perparim Hysi thotë:

    19 September 2008 @ 9:21 pm

    Bukur dhe pak”rrezikshem?!”tek ato aliteracionet.Nuk te rrihet pa”e krujatur”kurrizin a…Ta them trroc:keshtu je jo vetem ibukur,por dhe shume fin.Po kur e”trash limen”si Bukowski,atehere…

  4. Zen thotë:

    19 September 2008 @ 10:04 pm

    bukur obsesioni: bari me i gjelbert ne anen tjeter……….

    sinner :D

  5. e mire o mire thotë:

    19 September 2008 @ 10:46 pm

    exceptionally, for an exceptional quality:

    this is professionalism, my friend!

    thanks, Tan!

  6. sol-nox thotë:

    20 September 2008 @ 1:28 am

    prandaj e ke qejf demokracine ti :))
    bukur bukur - po me shume si nje poeme se sa si poezi te ndara mu duken…

  7. klodi thotë:

    20 September 2008 @ 2:18 am

    Shkelqyeshem .

  8. Idris thotë:

    20 September 2008 @ 4:13 am

    Nje gjuhe e pershtatshme per te tilla prurje duhet ti permbahet vete prurjes …Psh nuk mund te thuash “shkelqyeshem “, pra te perdoresh nje fjale qe ka kuptim ne vleresime te prurjeve te tjera.
    Kesaj lloj fushe ku cquhen te shkerdhyerit i shkon me bukur Shkerdhyeshem .
    Prandaj eshte i madh D.Agolli se fjalen meritokraci ,per njerzit e pruresit shkerdhata e pershtati ne Shkerdhatokraci.
    Dhe te kuptohemi , personalisht e gjej me shume vend fjalen “sipas prurjes dhe vleresimi” si sinonim te fjales(thenies) “sipas vendit dhe kuvendi “.
    Cmimi me i drejte per vleresimin e ketyre prurjeve eshte vete fjalori i ketyre prurjeve . Shkerdhyeshem.

  9. jarrani thotë:

    20 September 2008 @ 5:11 am

    \\\ perëndojnë penelatat e pendimit mbi penis…
    vagabond i vagullt i vaginës tënde muzgu…
    përlotja loton lotë mbi të lodhurin iris
    si mbi murgeshën e mbrëmjes murgu.

    Fjalet penis dhe vagine nuk jane te gjuhes popullore. Nuk di si i thone andej nga fshati qe vjen ti? Por ketej nga fshati yne, perdorim te tjera mjete stilistikore, qe i marrim me shume nga gastronomia dhe bujqesia, sesa nga gjuha e thate e mjeksise.

    Sidoqofte, “gruaja e tjetrit”? Te duket e bukur? Si i behet per gruan tende? Apo keto fantazite vlejne gjithmone per “gruan e tjetrit”? Gruaja e tjetrit. Mund te ishte motra jote. Nena jote. Gruaja jote. Vajza jote. Apo ngelet gjithmone e tjetrit? Bahcja e komshiut. Mund ti vjedhim frutet? Si urdheron kapiten. Beja bam. Njeriu me top. I shtepise perballe.
    Mos valle mbaruan motivet, plotet, ne kete bote jarrane? Mbaruan! Tani le te merremi me gruan e tjetrit. Ngase eshte e tjetrit? Apo pse eshte grua? Gruaja - tha, - eshte si mushka, nuk ka rendesi se kush i hyp. Por provoje njeher ore mik- ja ktheu TJETRI. Beri ti hypi miku, por e kapi ky TJETRI per zverku, e uli poshte, dhe ja numeroi, plot 12 here, me cifte. Zorret i plasen si kokerrat e shegeve nga trupi. Te gjithe e degjuan. Te gjithe u ngazelluan. U kthye drejtesia ne katund me ne fund - thane, mbyllen dritat, dhe tre dite ishte cudia, me te vertete.

  10. whisper the real thotë:

    20 September 2008 @ 5:27 am

    jarrani, vetem nese ti je “tjetri” do te te jepja “shpjegime” per “gruan e tjetrit”…perndryshe moralizimet beji diku tjeter dhe jo te kjo teme poetike…
    Gjithsesi faleminderit qe je nje lexues i imi edhe ti bashke me ate matufin me siper…

  11. whisper the real thotë:

    20 September 2008 @ 5:37 am

    Henablu, xhenius, Perparim, Zen, e mire o mire - poeti, Sol dhe Klodi me vjen mire qe i gjetet te bukura keto poezi :) Flm!

  12. rrufjani thotë:

    20 September 2008 @ 6:57 am

    “I gjete” te bukura keto poezi? Ku e ke gjetur kete konstruksion gjuhesor? Shume interesant. “I found them” ose “they seem to be”, apo “ich finde sie” ose “mir scheinen”, nga cila gjuhe e ke marre?

    Sidoqofte, poezite e tua prej kasapi dhe rrufjani nuk kane asgje artistike. XYZ mund ti “gjeje” rruges shume te bukura, edhe ndonje tjeter, porse mua nuk me “duken” te tilla, pervec mesazhit te pamoralshem qe ato permbajne.

    Nuk eshte mbase mire te te mbaj ty leksion nga filozofia e lashte greke dhe klasike, ku virtyti dhe morali ishin cilesi te se bukures dhe veti te artistit.

    te thashe ne fillim qe eshte gabim perdorimi i termave latine ne nje poezi qe i hymnizon banalitetin. Sipas mesazhit qe percon, duhet edhe gjuha. Nuk mund psh. ti vesh ne goje nje rrugaci fjale te tilla, se ai sherbehet nga nje tjeter leksike. (mos ta zgjas me shume se merzitet Idrisi dhe fillon ei mbledh temthi marraz pasanej).

  13. Zen thotë:

    20 September 2008 @ 2:12 pm

    S ka vend per hipokrite edhe mendime mediokre ne kete teme mendoj une……peshku ofron plot tema politeske edhe boshe ku mund te nxiret dufi edhe inati i “esences morale shqiptare” …….

  14. XYZ thotë:

    20 September 2008 @ 2:24 pm

    Rrufjani, qe nuk je aq rrufjan sa hiqesh, kete e di mire. Dhe qe je ndoshta dhe i pangrene keto kohe, edhe kete e marr me mend. Por nuk e mora vesh ç’pune kishte permendja ime ketu ku une s’kam folur asnje fjale ?

    Per poezite : whisper, poezia e pare fare me pelqen me shume. Ka nje lloj nenshtrimi te mençur ne kete poezi, nje lloj lodhje te njeriut perballe mijera “hallesh” te jetes. Dhe kur te bien mbi koke, thote populli, hapju deren.

    Do te ndalem me kaq, sepse e kam si parim qe kur sillen shume poezi pernjeheresh, atehere veçoj me te miren dhe flas dy fjale per te. Kurse kur eshte paraqitur vetem nje poezi e vetme, atehere dhe ndoshta dhe behem pak i “serte”.

    Pershendetje dhe fundjave te kendshme,
    XYZ.

  15. da vinci thotë:

    21 September 2008 @ 7:04 pm

    Shife si e lexojne poezine keto rrufjanet.Deshperohet sikur kalamajt qe ka ne shpi ia ka mbjelle whisper. arti nuk eshte moral, as i moralshem as moralizues. Po te ishte arti c’kerkon rrufjani te ishte, sigurisht qe vetem art nuk do te quhej.
    Poezi te tilla jane shkruar edhe atehere kur jarani thote se nuk jane shkruar, antikiteti grek a c’thote me lart.

    Ky eshte cikli me i bukur i whisper the real. Mgjths XYZ ka zgjedhur te paren , per te thene se “kur te bien kokes , u hap deren”
    Ec e merre vesh komentin qe i ben XYZ poezise qe ka zgjedhur. Pervec se eshte nje delirant eshte edhe injorant qe ka lexu shume ndoshta, por qe nuk ka mesuar gje prej gjeje. thjesht numeron librat qe ka lexu, e i duket vetja i ditur.

    Urime whisper, keto lloji poezish ti i shkruan mrekullisht bukur. Dhe aq mire ben qe shkruan kesij lloji poezish. Kush kerkon t’i censuroje keto tema, te kthehet mbrapsh ne kohen e censurave. Sigurisht per te fjetur me grate e shokeve e te kolegeve, dhe te shiten prap ne “ndershem”.
    Perndryshe nuk ke pse behesh me faj per te tredhurit!

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com